Synimi i Shqipërisë për t’u kthyer në një destinacion gjithëvjetor sa i takon turizmit ku përveç detit dhe rërës të ketë edhe atë të borës duket se mbetet më shumë mes deklaratash sesa e zbatuar në praktikë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim specifik që ka në fokus zhvillimin e turizmit malor konstatoi se ka mungesë rakordimi mes institucioneve dhe federatave që do ta nxisnin këtë lloj turizmi më shumë. Audituesit konstatojnë se regjistrimi i strukturave, mungesa e kategorizimit të tyre bën që informaliteti të jetë problem.
“Mungesa e përgatitjes së planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore, e realizimit të objektivit strategjik, për regjistrimin e 80% të strukturave akomoduese të vogla familjare (kryesisht në zonat malore), duke ndikuar negativisht në uljen e informalitetit në sektorin e turizmit, si dhe mungesa e një programi pune me qëllim përcaktimin e masave konkrete, afateve, institucionet me të cilat do të bashkëpunojë MTM, për reduktimin e fenomenit të informalitetit, në gjykimin e grupit të auditimit, ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të ofruar, cenimin e sigurisë së turistit, uljen e numrit të turistëve në zonat malore, e për rrjedhojë zhvillimin me ritme të ulta të turizmit malor” thuhet në dokument.
Për audituesit duhet të ketë një bashkërendim më të mirë që të dixhitalizohen shtigjet si dhe të pasqyrohen ne e-turizmi destinacionet në mënyrë që turistët ta kenë më të thjeshtë aksesin. Kjo duhet të ecë paralelisht me mbulimin me valë.
Nga ana e institucioneve nuk ka një produkt final që të ketë identifikuar zonat ku mund të ngihen pista skijimi apo të zhvillohet alpinizmi e po kështu nuk ka një paketë turistike për aktivitetet dimërore.
I njëjti auditim vlerëson se mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional (horizontalisht dhe vertikalisht) ndërmjet Ministrisë së Turizmit-së dhe Institucioneve të tjera nga ministritë e linjës tek dhe grupet e interesit (Federata/shoqata të ndryshme sportive, si Alpinizmi, Aeronautika, Çiklizmi, etj), për: -përgatitjen e planit të masave për sigurinë e vizitorëve në zonat natyrore; lirimin e paketës turistike për aktivitetet dimërore; krijimin e stacioneve të transportit turistik tregon për dobësi në realizimin e detyrimeve ligjore dhe strategjike dhe mungesë koordinimi.
“Për pasojë sjell infrastrukturë mbështetëse të dobët për ofruesit dhe përfituesit e shërbimit turistik, mungesë të alternativave argëtuese në turizmin malor, ndikon negativisht në promovimin e produkteve turistike, në hartimin e planeve dhe përcaktimin e objektivave real për zhvillimin e produktit turistik dhe në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të sigurt të turizmit malor” thuhet në auditimin e KLSH.
Ky institucion ka rekomanduar një sërë masash që mund të merren nga autoritetet për të ndryshuar situatën dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit malor.
Marrë nga Monitor.al