Ndërsa autoritetet hetonin vrasjen e 20-vjeçares britanike Caroline Crouch, jo rrallë herë në më shumë se një muaj mediat greke raportuan se mes “grabitësve” mund të ketë pasur shqiptarë apo edhe se autori mund të ishte shqiptar.
Tashmë që autori i vrasjes Babis Anagnostopoulos ka pranuar krimin, Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, në një reagim, kërkon që mediat të kërkojnë falje për mënyrën sesi e raportuan ngjarjen.
Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi kërkon që të përdoren të gjithë mekanizmat e shtetit për të siguruar një reagim të gjerë e “për të dërguar pa humbur kohë mesazhin e duhur në çdo drejtim: Vrasësi i Caroline nuk ishte asnjë kriminel tepër i rrezikshëm shqiptar apo gjeorgjian.”
Në reagim thuhet se mediat greke nuk humbin shansin që të ” kultivojë me vullnet të jashtëzakonshëm stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akt që nxit urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke”.
Shqiptarët në Greqi kërkojnë që mediat të kërkojnë falje publike për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi.
REAGIMI
“Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi shpreh tronditjen dhe neverinë për krimin e rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik në vend. Si të gjithë, ndjekim të shokuar zhvillimet e fundit në hetimet e vrasjes së nënës së re në Glika Nera, nga vetë bashkëshorti i saj. Shprehim ngushëllime të sinqerta dhe mbështetjen pa kushte ndaj familjes së viktimës 20-vjeçare, Caroline Crouch.
Njëkohësisht kërkojmë të përdoren menjëherë gjithë mekanizmat e shtetit për të siguruar një reagim të gjerë e për të dërguar pa humbur kohë mesazhin e duhur në çdo drejtim: Vrasësi i Caroline NUK ishte asnjë kriminel tepër i rrezikshëm shqiptar apo gjeorgjian.
Sërish media greke nuk humbi shansin të kultivojë me vullnet të jashtëzakonshëm stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akt që nxit urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.
Dënojmë fort aktin e frikshëm të vrasësit 33-vjeçar, i cili për 37 ditë me radhë luante rolin e bashkëshortit të hidhëruar.
Kërkojmë që media greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar. Ndodh prej shumë vitesh tashmë, ndaj ka ardhur koha që ky kapitull të mbyllet njëherë e përgjithmonë, duke dënuar ashpër çdo autor përgjegjës!
Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft e ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë në harmoni. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, kundër çdo akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë!”