Konfindustria kërkon që çmimet e hidrokarbureve të rishikohen nga ana e Bordit të Trasparencës me fillimin e vitit të ri, pasi në tregjet botërore çmimet kanë pësuar rënie. Duke iu referuar të dhënave nga bursat ndërkombëtare, Konfindustria thotë se çmimi aktual për naftën duhet të ishte të pakën nën nivelin e 183 lekëve. Konfindustria kritikon Bordin të Transparencës se prej më se 2 javësh çmimi i naftës në tregun shqiptar është në kufijtë e pothuaj 200 lekë/litër dhe ende nuk ka një vendimmarrje teksa shpreh shqetësimin se kostot shtesë për qytetarët dhe bizneset arrijnë në këtë mënyrë në vlera miliona dollarë.
“Konfindustria rishpreh shqetësimin për vazhdimin e mosndërhyrjes në vazhdimësi të Bordit të Trasparencës edhe gjatë fillmvitit 2023 për uljen e çmimit të karburanteve në tregun vendor.
Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare çmimi i naftës ka rënë me shpejtësi, duke u përafruar ndjeshëm kuotave më të ulëta të vitit 2022. Mbështetur në vlerësimet krahasuese me bazë vjetore, çmimi i shitjes me pakicë të produktit “naftë/diesel” në tregun shqiptar duhet të ishte më i ulët se 183 lekë/litër. Ndërkohë, prej më se 2 javësh çmimi i naftës në tregun shqiptar është në kufijtë e pothuaj 200 lekë/litër. Kostot e mësipërme shtesë për qytetarët dhe bizneset arrijnë në vlera miliona dollarë $.
Konfindustria rishpreh shqetësimin e saj, se Bordi i Trasparencës në vazhdimësi vonon në mënyrë të tejskajshme kohore dhe qartësisht të qëllimtë vendimmarrjen në rastin e uljes së çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë institucioni në fjalë vazhdon praktikën e vendimmarrjes së menjëhershme në rast të rritjes së çmimeve së karburanteve, duke e pasqyruar drejtpërdrejtë në tregun vendor.
Praktika e mësipërme godet ashpër interesin publik dhe favorizon hapur oligopolin e operatorëve të karburanteve, rritjen e sforcuar të të ardhurave buxhetore si dhe mbështet kontrabandën masive.
Konfindustria ka kërkuar në vazhdimësi shkrirjen e Bordit të Transparencës dhe themelimin e Entit të Karburanteve si dhe marrjen e masave për rritjen e domosdoshme të konkurueshmërisë në tregun më të madh strategjik të vendit prej 10—11% të PPB me qarkullim mbi 1.5 miliard $/vit. Enti i Karburanteve duhet të jetë në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe i përbërë nga profesionistë.
Bordi i Trasparencës është në varësi të ekzekutivit dhe i përbërë, në konflikt të plotë interesi, në gjysmën e tij nga përfaqësues të vetë subjekteve tregtare, që duhet të hetohen për spekulime të mundshme në treg.”, thuhet në reagimin e bërë nga Konfindustria.