Pas deklaratës së presidentit serb Vuçiç se do ta ruante sovranitetin dhe tërësinë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj, kanë ardhur reagimet e para nga qeveria e Kosovës. Ministri i Jashtëm në qeverinë në largim të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë betimin njësoj, sikurse edhe paraardhësit e tij, duke u mbështetur në mite.
“Kosova kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Betimi i Vuçiçit, jo vetëm që është jo i vërtetë dhe i parealizueshëm, por ai po dërgon mesazhe negative gjithë rajonit se Serbia edhe më tutje jeton në mite”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Një reagim ka ardhur edhe nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku.
“Gjatë ceremonisë së dhënies së betimit, presidenti i Serbisë ka thënë se do të luftoj që ta ruaj Kosovën si pjesë të Serbisë. Në cilën botë jeton ai?”, shkroi ajo në Twitter.