Kur më shumë se një muaj na ndan nga zgjedhjet lokale, një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën. Dy persona janë vrarë sot, një prej tyre ishte kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar komune në Pejë, Astrit Ademaj.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, afër shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri” në qytetin e Pejës, ku i vdekur ka mbetur dhe një person i dytë. Bëhet fjalë për ish-kandidatin e PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj. Dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin duke mbetur të vdekur në vend nga plumbat që kanë lëshuar ndaj njëri-tjetrit.
I plagosur nga shkrepja e armëve gjithashtu ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avniu. Sipas mjekut roje në spitalin e Pejës, dy viktimat kanë shkuar pa shenja jete në spital, ndërkohë që i plagosuri ka marrë plumbin në dorë dhe prej tij vetëm ka thyer gishtin.
Policia ka nisur menjëherë hetimet lidhur me rastin duke sekuestruar dy armët e gjetura në vendngjarje, ndërkohë që thirrje për zbardhjen e plotë të ngjarjes bëhet nga instancat më të larta të vendit. Me radhë, presidentja, kryeministri dhe vetë PDK kanë shprehur ngushëllimet për familjen duke kërkuar nga Policia që të mësojë përse ka ndodhur përplasja me armë zjarri mes tyre.