Dyfish më shumë raste të reja të infektimit me koronavirus, krahasuar me një ditë më parë, janë regjistruar në Kosovë. Një person ka vdekur dhe 221 kanë dalë pozitivë me Covid-19. Kjo shifër është më e larta që nga muaji prill. Tashmë po paralajmërohen masa shtesë dhe rikthimi i maskave Aktualisht, Kosova ka 888 raste aktive me koronavirus.
Numri i rasteve me Covid-19 është në rritje ditëve të fundit në Kosovë. Dje, më 4 gusht, u regjistruan 221 raste të reja, pas testimit të 3.160 mostrave. Mbi 100 raste të infektimeve janë të grupmoshës 20-39 vjeç. Në spitalet e përgjithshme në Kosovë janë të shtruar 107 pacientë, kurse në Klinikën Infektive në Prishtinë janë 34 pacientë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se rreth 90 për qind e rasteve të infektimit me COVID-19 janë të lidhura me variantin Delta. Ky variant, që është më ngjitës, është bërë dominues edhe në Kosovë. Mostrat për variantin Delta, Instituti i dërgon jashtë vendit për t’i analizuar.
Të paktën pesë persona të cilët kanë qenë të vaksinuar janë infektuar me koronavirus, kurse dy prej tyre, kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës.Në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë thënë se hapat e ardhshëm do të ndërmerren në varësi të situatës së krijuar.
“Çfarë hapash do të ndërmerren, do të varet nga ecuria e mëtejme e situatës epidemiologjike, do varet nga analiza e situatës që do t’i bëjë instituti dhe nga rekomandimet që do të jepen për Ministrinë e Shëndetësisë”. Që nga maji i këtij viti, kur masat janë liruar, qytetarët nuk mbajnë maska, dhe as nuk respektohet distanca fizike. Në shumicën e vendeve të botës masat kanë nisur të rikthehen, duke e bërë të detyrueshme bartjen edhe jashtë të maskës.
Gjithashtu në këtë institutin thonë se personat që nuk vaksinohen e rrezikojnë shëndetin e vet, duke shpërfillur kësisoj shpejtësinë e përhapjes së variantit Delta.
“Ata që nuk vaksinohen do t’i nënshtrohen rrezikut më të lartë për t’u infektuar dhe për t’u shtrirë në spital. Prandaj, qytetarët duhet të zgjedhin vaksinimin para çdo kufizimi, hezitimi apo mase tjetër që do t’i detyronte ata të vaksinohen kundër COVID-19”.
Delta përfshin rreth 90 për qind të rasteve të infektimit në Kosovë. Por, testimi për të ende nuk kryhet në vend. Nuk dihet as se kur do të krijohen kushtet për të. Madje, Kosova aktualisht, për shkak të problemeve me transport, as nuk mund të dërgojë mostra për testim jashtë vendit.
Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qytetarët e Kosovës janë në rrezik, dhe sipas tij vaksinimi është e vetmja mënyrë për tu mbrojtur.
“Varianti Delta i Covid-19 po përhapet me shpejtësi. Sot kishte 221 raste pozitive. Trendi është shumë shqetësues. Nuk ka dyshim se jemi para një vale të re të pandemisë. Për disa javë nis viti i ri akademik, ku afër 500 mijë nxënës, studentë e profesorë do të jenë në kontakt me njëri-tjetrin, duke i rritur shumë gjasat për përhapje të gjerë të virusit. Vaksinimi është e vetmja mënyrë për tu mbrojtur. Është tepër e rëndësishme të kryhet vaksinimi sa më parë. Secili i rritur duhet të vaksinohet, përveç atyre që kanë arsye mjekësore”.
Ai ka thënë se mësimdhënësit në të gjitha nivelet duhet të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre, si dhe për të mundësuar organizimin e mësimit me orar të rregullt. Shtimi i rasteve e ka rritur edhe numrin e të infektuarve që kërkojnë ndihmë spitalore. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, ka treguar se gjendja e pacientëve në fjalë, nuk është e rëndë.
“Pacientët janë të shtrirë, por janë duke manifestuar forma të lehta klinike dhe shpresoj që shumë shpejt do të lirohen”.
Kurse, infektologu Sali Ahmeti, ka thënë se simptomat e variantit Delta, duket të jenë të ngjashme me ato të variantit të parë të virusit.
“Në rastet tona, nuk kemi parë ndonjë ndryshim të veçantë klinik dhe pothuajse që manifestimet klinike janë të ngjashme sikurse me virusin origjinal”, thotë ai.
Ahmeti shton se respektimi i masave kundër pandemisë duhet të vazhdojë, në të kundërtën, sipas tij, numri i të infektuarve do të rritet. “Unë mendoj se maskat duhet të vazhdohet që të mbahen, qoftë edhe nga personat e vaksinuar, në mënyrë të veçantë dhe gjithsesi edhe nga ata të pavaksinuar. Duhet të ruhet e mbahet distanca, si dhe të mbahet higjiena personale. Këto janë disa masa mbrojtëse, të cilat duhet të përfillen e të respektohen. Ne jemi ende në pandemi dhe nuk e kemi përfunduar”.
Për epidemiologun Isuf Dedushaj, rritja e shpejtë e rasteve me COVID-19, është shqetësuese. Ai konsideron që nëse vazhdon një trend i tillë i infektimeve, duhet të merren masa që do të parandalonin përhapjen e mëtejme të infeksionit.
“Njerëzit kanë harruar edhe si ka qenë pandemia. E vetmja mënyrë është që të rritet numri i përfshirjes në vaksinim. E nëse vazhdon kështu rritja enorme, mandej sigurisht se duhet të merren dhe masa të tjera kundër pandemisë. Rritja e përnjëhershme, do të thotë 100 për qind, shtyn që të ndalohen tubimet masive dhe vendosja e maskave të jetë e obligueshme në vendet ku ka numër të madh të qytetarëve. Nuk ka tjetër rrugëdalje. Vetë fakti që varianti Delta ka marrë hov gjithandej globit dhe shtetet e fuqishme, edhe pse kanë bërë një mbulim të mirë me vaksina, kanë nisur të aplikojnë masat parandaluese, në radhë të parë përdorimin e maskave në vendet publike”.
Masat kundër pandemisë në Kosovë tashmë janë liruar pothuajse krejtësisht. Po ashtu, edhe mbajtja e maskave nëpër rrugë është rralluar. Deri më 4 gusht, në Kosovë janë administruar 460.297 doza të vaksinës kundër koronavirusit, kurse 162.807 qytetarë janë vaksinuar të dyja dozat e vaksinës.
Aktualisht, Kosova ka 888 raste aktive me koronavirus. Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 108,844 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,268 kanë vdekur.
Marrë nga Monitor.al