Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën një skemë të garantimit të kredive për sektorin bujqësor nëpërmjet garancive sovrane. Kjo nismë ka qëllim të rrisë aksesin e fermerëve në kredinë bankare. Megjithëse kjo nuk është nisma e parë që tenton të lehtësojë kreditimin për këtë sektor, bujqësia ende ngelet një sektor i nënkredituar, të paktën në raport me peshën dhe kontributin prej që ky sektor jep në ekonominë shqiptare (përbën rreth 19% të PBB-së).
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 11-mujorin e vitit e kaluar sektori bankar disbursoi rreth 2.02 miliardë lekë kredi të reja për këtë sektor, në rënie prej 6.2% krahasuar me një vit më parë. Pesha specifike e kredisë së re të dhënë për bujqësinë kundrejt kredisë së dhënë për ndërmarrjet private nga sektori bankar edhe vitin e kaluar ishte mjaft modeste, me më pak se 1.4% të totalit, edhe kjo në rënie nga niveli prej 1.45% i shënuar për të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Limitet e kreditimit të bujqësisë duken qartë edhe të matura në peshën që portofoli i kredisë për bujqësinë, i matur si tepricë kredie, zë ndaj totalit të kredisë për biznesin. Në fund të nëntorit 2021, kredia për bujqësinë përbënte 1.6% të tepricës së kredisë për bujqësinë, në vlera të përafërta me një vit më parë. Pesha e bujqësisë në portofolin e kredis për ndërmarrjet private ka ngelur pothuajse e pandryshuar në dekadën e fundit, çka tregon se, në thelb, përpjekjet për të rritur peshën e bujqësisë në kreditim nuk kanë dhënë shumë rezultate.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, arsyet kryesore që e bëjnë të vështirë kreditimin e bujqësisë janë perceptimi i lartë i rrezikut nga bankat për investimin në këtë sektor, konkurrueshmëria e ulët e bujqësisë për shkak të fragmentarizimit, si edhe mungesa e kolateralit të përshtatshëm për të garantuar kreditë. Guvernatori Sejko tha këtë javë se skemat e garancisë mund të jenë një zgjidhje në afatin e shkurtër dhe të mesëm, por zbutja e rreziqeve të kreditimit të bujqësisë në afatin e gjatë do të kërkonte ndërhyrje më thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së këtij sektori.
Një mekanizëm tjetër që do të ndihmonte në zbutjen e rreziqeve mund të ishte edhe aplikimi i produkteve të sigurimit të fermerëve, produkte që në Shqipëri pothuajse nuk ekzistojnë. Për shkak të rreziqeve të larta ndaj të cilave është i ekspozuar ky sektor, primet e sigurimit zakonisht rezultojnë shumë të larta, në nivelin e 7%-8% të shumës së siguruar. Ekspertët e sigurimeve shprehen se këto produkte në Shqipëri nuk ekzistojnë, sepse prime kaq të larta janë të papërballueshme për fermerët. E vetmja zgjidhje mund të ishte subvencionimi i pjesshëm i primeve të sigurimit nga shteti, si formë e mbështetjes së fermerëve. Një zgjidhje e tillë do të ulte ndjeshëm rreziqet edhe institucionet e kredidhënies, duke iu dhënë fermerëve më shumë akses në kredinë bankare./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al