Marrja e një kredie në lekë bankë, si për bizneset ashtu dhe për individët sa po vjen e po bëhet më e shtrenjtë.
Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, në tetor, norma mesatare e ponderuar mujore e huave të reja në lekë të korporatave jofinanciare, individëve arriti në 7.47%, nga 7.07% që ishte muajin e mëparshëm, duke u rritur për të katërtin muaj radhazi.
Ky është niveli më i lartë në gati 5 vjet, që nga janari i vitit 2018.
Ndërkohë, për huamarrësit ekzistues që kanë kredi me interesa të ndryshueshme, rritja e normave përcillet automatikisht, nëpërmjet treguesit benchmark, që në rastin e lekut është zakonisht yield-i mesatar i bonove të thesarit.
Nga muaji mars e në vazhdim, yield-et janë rritur me ritme të shpejta. Instrumenti më i përdorur benchmark, bonot 12-mujore, në muajin tetor u emetuan me një yield-mesatar të ponderuar prej gati 6%, në rritje me gati 4 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e yield-eve i transmetohet automatikisht huamarrësve, në rivlerësimin e normës së interesit të kredisë, që kryhet të paktën njëherë në vit. Por, tashmë, sektori bankar duket se po e reflekton rritjen e normës bazë të interesit dhe të yield-eve edhe në normat e interesit të kredive të reja.
Shtrenjtimi i interesave të kredive reflekton politikën shtrënguese monetare që po ndjek Banka e Shqipërisë nga muaji mars i këtij viti, si një mjet për të luftuar inflacionin e lartë. Norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 2.75% në harkun e shtatë muajve.
Rritja e normës bazë nga Banka e Shqipërisë rrit çmimin e injektimit të parasë në sistem, duke e bërë paranë më të shtrenjtë. Me rritjen e kostos së financimit të tyre afatshkurtër me REPO nga Banka e Shqipërisë, bankat reaguan duke rritur edhe yield-et e kërkuara për të financuar borxhin e qeverisë.
Ndërkohë, inflacioni i lartë dhe sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë krijuan pritshmëri të forta për vijimin e rritjes së normës bazë të interesit, duke nxitur një rritje të yield-eve edhe më të lartë se ajo e normës bazë, sidomos në instrumentet afatshkurtra.
Sipas Bankës së Shqipërisë për kredinë nga 6 muaj deri në 1 vit, interesat në tetor ishin 6.65%, nga 5.88% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shtrenjtimin më të lartë e kanë shënuar kreditë afatgjata. Huaja nga 1 deri në tre vjet kishte një interes prej 9.5%, nga 5.88% që ishte në tetor të vitit 2021.
Shtrenjtohet kredia në lekë, por jo në euro
Në katër muajt e fundit huaja në monedhën vendase për individët për marrjen e një shtëpie është shtrenjtuar ndjeshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë në tetor, interesi mesatar arriti në 4.87%, nga 3.48% në të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2015.
Në të kundërt, kredia në euro për shtëpi ka rezultuar më e qëndrueshme, në nivelin e afër 3%, madje duke u ulur lehtë në tetor, pas rritjen muajin e mëparshëm.
Huaja për blerje banesash ka shënuar rritje të fortë vitet e fundit, por monedha e preferuar mbetet euro. Për 10 mujorin, kredia e re për banesa për individë në monedhën e përbashkët u rrit me 41.8% me bazë vjetore, duke përbërë 26% të totalit të huasë së dhënë gjithsej për individët.