Bankat shqiptare po përdorin kreditë e përbashkëta, si një instrument për të mbështetur projekte në vlera të mëdha dhe për të ndarë rrezikun mes tyre. Sektorë si ndërtimi dhe projektet e infrastrukturës mund të kenë potenciale të rëndësishme për t’u kredituar në mënyrë të përbashkët.
Ersuin Shehu
Në muajin gusht 2021, tri banka tregtare shqiptare njoftuan se kanë financuar një kredi të përbashkët (sindikale) prej 26 milionë eurosh për shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogora”.
Tri bankat financuese të projektit ishin Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank. Kredia u miratua që në muajin mars 2021, ndërsa disbursimet kanë nisur muajt e fundit të 2021. Ajo do të ketë afat maturimi 10-vjeçar dhe një normë minimale interesi prej 6% në vit.
Kjo është kredia më e madhe e dhënë nga sektori bankar shqiptar për një subjekt në dy vitet e fundit. Më herët, në muajin qershor, Banka OTP Albania u angazhua në një tjetër kredi të përbashkët, por këtë herë në partneritet me dy banka të huaja të grupit të saj, Banka OTP Hungari dhe Banka DSK Bullgari (pjesë e OTP Group).
Në vitin 2019, konsorciumi Albania Telecom Invest (ATI) mori një kredi prej 48.5 milionë eurosh te First Investment Bank Bullgari, që mbuloi pjesën më të madhe të çmimit të blerjes prej 50 milionë eurosh të Telekom Albania (sot ONE). Pjesa e mbetur prej rreth 37 milionë eurosh është rifinancuar në një kredi të re, me afat maturimi 10-vjeçar, nga bankat e grupit hungarez OTP. Sipas burimeve nga banka, pjesa e financuar nga OTP Albania në kredinë e përbashkët ishte rreth 13 milionë euro.
Kreditë sindikale, rreth një dekadë histori
Kredia e parë sindikale, e ndarë nga bankat shqiptare dhe njëkohësisht një ndër kreditë më të mëdha deri më sot në sektorin bankar shqiptar, është ajo e dhënë në vitin 2010, për kompaninë e telefonisë celulare, Plus Communication. Deri atëherë, kishte pasur raste sporadike të bashkëfinancimit mes bankave, por jo kredi sindikale të mirëfillta.
Huaja për Plus kishte vlerën totale të 35 milionë eurove, me kontribuues kryesor Raiffeisen Bank Shqipëri, me 25 milionë euro, Tirana Banka, me 5 milionë euro, Intesa Sanpaolo Bank Albania me 3 milionë euro dhe Union Bank, me 2 milionë euro.
Megjithëse kompania Plus e mbylli aktivitetin në fund të vitit 2017, sidoqoftë bankat nuk pësuan humbje, sepse kredia sindikale ishte rifinancuar nga aksionerët e Plus, duke nënshkruar obligacione të emetuara enkas për këtë qëllim nga kompania.
“Përvoja e deritanishme ka qenë pozitive, megjithëse numri i kredive sindikale ka qenë shumë i kufizuar. Në përgjithësi, bankat kanë zgjedhur rrugën e financimit krejtësisht në mënyrë individuale të kompanive dhe projekteve, ose të financimit të të njëjtit projekt në mënyrë të pakoordinuar me njëra-tjetrën” – thotë Ervin Xhomo, Drejtues i Divizionit të Korporatave dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Bankën Intesa Sanpaolo Albania.
Dekada e fundit përkoi me shtrirjen e efekteve të krizës financiare globale në tregun shqiptar. Kjo u shoqërua me rritje të raportit të kredive me probleme dhe frenim të kreditimit. Një pjesë e madhe e bankave, për vite të tëra, u fokusuan kryesisht në menaxhimin e portofolave ekzistues, sidomos në segmentin e biznesit dhe në uljen e raportit të kredive me probleme.
Një pjesë e bankave me kapital të huaj vendosën t’i shisnin filialet shqiptare dhe të dilnin nga tregu. Kjo fazë solli edhe një proces konsolidimi, nëpërmjet bashkimeve të bankave, që e uli numrin e përgjithshëm të tyre në 12. Natyrshëm, kjo periudhë nuk ka qenë shumë e favorshme që bankat të merrnin përsipër ekspozime të mëdha, qoftë edhe në formë e kredive të përbashkëta.
Megjithatë, në vitet e fundit, falë përmirësimit të cilësisë së kredisë dhe konsolidimit të sektorit bankar, kreditë sindikale po kthehen si një alternativë interesante për bankat tregtare.
Avantazhet e kredive sindikale
Kreditë në vlera shumë të mëdha janë sfidë për bankat. Nga njëra anë, ato mund të sigurojnë përfitime të konsiderueshme, sepse mundësojnë gjenerimin e aseteve në vlera të mëdha, në një kohë të shkurtër. Në fund të fundit, ofrimi i një kredie në vlerën, për shembull, të 10 milionë eurove ka sigurisht kosto më të ulëta administrimi se ofrimi i 200 kredive në shumën e 50 mijë eurove.
Por, ana tjetër e medaljes është se ekspozimi i madh në një klient të vetëm sjell edhe një rrezik shumë të lartë, në rast se klienti do të dështojë. Për shkak të përqendrimit të rrezikut, kreditë në vlera shumë të mëdha kanë edhe kufizime rregullatore.
Bankave nuk iu lejohet të ekspozohen te një klient i vetëm (ose grup klientësh të lidhur me njëri-tjetrin) me një shumë më të madhe se 20% e kapitalit të tyre rregullator. Në këto raste, kreditë sindikale mund të jenë një instrument interesant për të ndarë rrezikun, për të qëndruar brenda limiteve rregullatore të ekspozimit dhe për të financuar projekte që, përndryshe, një bankë e vetme nuk do të mund t’i financonte.
“Avantazhi i parë, është diversifikimi i riskut. Në vend që një bankë të bëjë një financim të madh në një projekt të vetëm, merr pjesë në disa të tillë, me shumë financimi më të vogël. Gjithashtu, në disa raste, banka merr pjesë në një financim të madh, që ndryshe mund të mos kishte mundësi ta financonte vetëm.
Në këto kredi, banka ndan përvojën me bankat e tjera, rasti analizohet nga disa banka, të cilat ofrojnë këndvështrime të ndryshme, që e përmirësojnë njohjen e rastit.” – thotë Ferid Shijaku, Drejtor i Divizionit të Biznesit dhe Anëtar i Bordit të Menaxhimit në Bankën OTP Albania.
Nga pikëpamja procedurale dhe burokratike, kreditë e përbashkëta sigurisht që shtrojnë sfida. Koordinimi i analizës dhe vendimmarrjes mes dy ose më shumë bankave tregtare kërkon afate të konsiderueshme.
“Në përgjithësi, kreditë sindikale kanë shumë avantazhe, por sigurisht shtrojnë edhe disa vështirësi. Çështjet kryesore konsistojnë në kohën e shpenzuar në finalizimin dhe ndjekjen e një financimi të tillë, në krahasim me pjesëmarrjen e vetëm të një banke.” – thotë Glenda Kurti, Drejtore e Divizionit të Korporatave dhe Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Tirana Bank.
Ervin Xhomo, Drejtues i Divizionit të Korporatave dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Bankën Intesa Sanpaolo Albania pohon se përvoja e deritanishme ka qenë pozitive, megjithëse numri i kredive sindikale ka qenë shumë i kufizuar. “Në përgjithësi, bankat kanë zgjedhur rrugën e financimit krejtësisht në mënyrë individuale të kompanive dhe projekteve, ose të financimit të të njëjtit projekt, në mënyrë të pakoordinuar me njëra-tjetrën”.
Potenciali te PPP-të
Një nga sektorët me potenciale më të mëdha për ofrimin e kredive të përbashkëta është ai i investimeve në infrastrukturë, sidomos në formën e projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PPP). Bankierët i sugjeruan si një alternativë që disa vite më parë, kur qeveria Rama prezantoi në fillim të mandatit të saj të dytë paketën “1 miliard euro për rindërtim”.
Shumica e projekteve që parashikonte ajo paketë kanë ngelur pezull, por sidoqoftë ato mbeten ende mbi tryezë, si projekti i rrugës Milot-Balldre, që parashikohet në listën e PPP-ve të cilat shoqërojnë buxhetin, por ndoshta edhe ai i rrugës Thumanë-Rrogozhinë, për të cilin firma kontraktore ka fituar një çështje gjyqësore në shkallë të parë me qeverinë shqiptare.
Projektet e PPP-ve prekin vlera në shuma të mëdha dhe sipërmarrësit nuk mund t’i zhvillojnë me burimet e veta, ndaj gjetja e burimeve të financimit do të jetë kusht i domosdoshëm. Në mungesë të bursës, alternativë e vetme mbetet sektori bankar, që deri tani i ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme PPP-ve. Financimi i fundit madhor ishte pikërisht kredia e përbashkët prej 26 milionë eurosh për shoqërinë “Rruga Orikum–Llogora”.
Kjo kompani u themelua në fund të vitit 2018, me aksioner të vetëm kompaninë e ndërtimit “Gjikuria” dhe ka si objekt të aktivitetit ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”. Rruga ka gjatësi afërsisht 15 kilometra dhe pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 10 miliardë lekë (sipas listës së investimeve bashkangjitur buxhetit 2021), që do të paguhen gjatë 13 viteve. Kjo rrugë ishte një nga projektet e Partneritetit Publik-Privat të shpallura si pjesë e paketës “1 miliard euro”.
Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun e kredisë. Në të gjitha rastet e mësipërme, garancitë kryesore të dhëna nga huamarrësit janë vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, si dhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri.
Përveç PPP-ve dhe infrastrukturës, bankierët mendojnë se kreditë e përbashkëta mund të kenë potenciale edhe për sektorë të tjerë ku kryhen investime në vlera të mëdha. Këtu përfshihet energjetika, turizmi, apo edhe industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese.
Rreziku
Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun e kredisë. Në të gjitha rastet e mësipërme, garancitë kryesore të dhëna nga huamarrësit janë vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, si dhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri.
Përvoja me kreditë e përbashkëta e kufizuar, por pozitive
Intervistë me Ervin Xhomo, Drejtues i Divizionit të Korporatave dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Bankën Intesa Sanpaolo Albania
Numri i kredive të përbashkëta dhënë nga bankat tregtare në Shqipëri
deri tani ka qenë i kufizuar, por në përgjithësi, përvoja e deritanishme ka qenë pozitive.
Ervin Xhomo, Drejtues i Divizionit të Korporatave dhe Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Bankën Intesa Sanpaolo Albania, thotë për “Monitor” se sektorët me potencialet më të mëdha për t’u financuar nga kredi të këtij lloji mund të jenë infrastruktura, energjetika, por edhe industritë nxjerrëse dhe përpunuese.
Cila është përvoja e deritanishme me kreditë sindikale në sektorin bankar shqiptar dhe sa kanë funksionuar ato?
Përvoja e deritanishme ka qenë pozitive, megjithëse numri i kredive sindikale ka qenë shumë i kufizuar. Në përgjithësi, bankat kanë zgjedhur rrugën e financimit krejtësisht në mënyrë individuale të kompanive dhe projekteve, ose të financimit të të njëjtit projekt, në mënyrë të pakoordinuar me njëra-tjetrën.
Cilat janë përfitimet për bankat nga angazhimi në projekte të kredive sindikale?
Përfitimet kryesore janë fakti që analizimi dhe mbledhja e dokumentacionit realizohet nga banka që kryen rolin e udhëheqëses së kredisë sindikale, duke lehtësuar procesin për klientin/projektin, duke qenë se është ajo që bashkërendon bankat e tjera pjesëmarrëse; krijimi i një portofoli të shumëllojshëm nga Bankat, për sa u përket sektorëve të financuar, pa qenë e nevojshme për t’u përqendruar në një numër të kufizuar klientësh; pjesëmarrje e bankave me kapital të vogël dhe rrjedhimisht me mundësi më të kufizuara kreditimi, në drejtim të shumës, për financimin e projekteve të përmasave mesatare apo të mëdha.
Cilët sektorë të ekonomisë mund të kenë potencial më të madh për t’u mbështetur nga kredi të këtij lloji?
Sektorët me potencialin më të madh janë infrastruktura, industritë e nxjerrjes e të përpunimit, fabrikat e prodhimit, projektet koncesionare të energjive të rinovueshme e të tjerë të ngjashëm.
Çfarë vështirësish specifike paraqiten për bankat si rezultat i përfshirjes në skemat e financimeve të përbashkëta?
Koordinimi i bankave pjesëmarrëse në një kredi sindikale mund të shndërrohet në një proces të tejzgjatur në kohë. Për më tepër, procesi i të udhëhequrit të shumë bankave pjesëmarrëse në një kredi sindikale mund të bëhet një ngjarje shumë e ndërlikuar, në varësi të përvojës së kufizuar që banka udhëheqëse mund të ketë në këtë fushë.
Marrë nga Monitor.al