Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar emërimin e dy ministrave të qeverisë, përkatësisht Bledi Çuçi, Ministër i Brendshëm dhe Milva Ekonomi, Ministre e Bujqësisë.
E ftuar në emisionin “Top Talk”, Kryemadhi u shpreh se ata nuk kanë një asnjë lidhje me Partinë Socialiste dhe sipas saj këto emërime tregojnë edhe më shumë shkëputjen e partisë së drejtuar nga Edi Rama me socialistët.
Për kryetaren e LSI, Kryemadhi, kryeministri Rama e ka të pamundur që të shkëputet nga grupi i Rilindjes në PS.
Pyetje: Emërimi i Bledi Çuçit si ministër i Punëve të Brendshme, doja një koment tuajin në lidhje me këtë emërim…
Kryemadhi: Që të jem e sinqertë nuk dua atë merrem fare me komentin e dy emërimeve të fundit, pra lëvizjen e zotit Çuçi nga Ministër i Bujqësisë në Ministër të Brendshëm, apo qoftë emërimin e zonjës Ekonomi në krye të Ministrisë së Bujqësisë. E vetmja gjë që mund të theksoj, është që në të dyja rastet përfaqësimi i socialistëve është inekzistent, sepse në të dy emërimet, qoftë të njërit apo qoftë të tjetrit, asnjëri nga ata nuk përfaqëson jo vetëm Partinë Socialiste, por as bazën e Partisë Socialiste.
Unë mendoja që do të kishte të paktën një reflektim momental të zotit Rama, duke zgjeruar dhe duke krijuar më shumë hapësira për socialistët, por në fund të fundit, shkëputja e tij nga grupi i rilindjes është i pamundur, kështu që absolutisht socialistët nuk e gjejnë më veten fare në qeverisjen e Kryeministrit në ikje Rama.
Pyetje: A do jetë më mirë Policia dhe Ministria e Brendshme me Bledi Çuçin në krye?
Kryemadhi: Mendoj që këtu ka të bëjë sjellja e kryeministrit Rama. Sot qoftë Policia e Shtetit apo edhe punëtorët që shërbejnë në mirëmbajtjen apo pastrimin e rrugëve, janë të lidhur drejtpërdrejt me sjelljen dhe me humorin e Kryeministrit. Kështu që, nëse do të kishte një ndikim sadopak, do të kishim një figurë publike socialiste.
Po ashtu Kryemadhi u pyet mbi deklaratën e kryeministrit Rama për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ajo e cilësoi atë si një tentativë për diversion që Rama po e bën prej dy vitesh, ndërsa theksoi se nuk duhet të ngelemi peng i leksikut të Kryeministrit.
Pyetje: Edi Rama u kujdes dje që të veçonte në leksikun e tij publik Lulzim Bashës nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Po bën diversion Rama apo ka diçka të ndryshme?
Kryemadhi: Rama ka dy vite që bën diversion. Rama gjithmonë kërkon të identifikojë Bashën me Berishën. Kërkon gjithmonë të identifikojë Monikën me Ilir Metën. Kërkon pastaj të identifikojë policin e mirë me policin e keq e kështu me radhë, sepse sot e kësaj dite, përpara se të arrijë të merret me pozicionimet tona, jam e bindur që çdo qytetar do të donte të dëgjonte nga z. Rama sa vende pune ka hapur në Shqipëri, sa ka ulur çmimet, taksat. Deri më sot shohim vendime që shkruhen në letër por nuk zbatohen. Prandaj është shumë e rëndësishme për opozitën dhe për të gjithë ne që të mos ngelemi peng i leksikut të Edi Ramës.