Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim dhe gjendja i është kthyer normalitetit. Këshu raporton policia e Kosovës në një njoftim të shpërndarë për mediat. Thuhet se tashmë çdo gjë është e lirë deri në momentin që njësitë policore dhe ato kufitare realizojnë detyrat dhe përgjegjësitë ligjore që kanë.
“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftim.
Më 2 tetor, janë zhbllokuar dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë, territor që e kanë marrë në kontroll pjesëtarët e KFOR. Këto dy pika kufitare u bllokuan nga serbët nga data 20 shtator, kur Qeveria e Kosovës mori vendimin që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.