Ballkani nuk është imun nga gjendja në Ukrainë, sepse në Ballkan ka shtet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk ka dënuar veprimin e Rusisë, e ky shtet është Serbia, fqinji i Kosovës. Ky është qëndrimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në një intervistë për Skynews.
“Tashmë këtë e kemi parë edhe në Ballkan në pranverën e vitit 1999. Mbi 860 mijë qytetarë ishin larguar nga Kosova. Qindra masakra të ndodhura, mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe rreth 20 mijë gra janë përdhunuar. Tashmë po e shohim agresionin rus në Ukrainë, ku secili lider është duke e dënuar. Tashmë jemi në përkrahje të popullit ukrainas për respektim të integritetit territorial”, tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka folur për agresionin rus në Ukrainë dhe mundësinë që Putini të destabilizojë edhe Ballkanin. Kurti ka përmendur lidhjet e forta të Rusisë me Serbinë dhe takimin e fundit në nëntor të vitit të kaluar të Putinit me Vuçiqin në Rusi. Kryeministri kosovar e ka quajtur presidentin rus, president despotik që e urren NATO-n. Ai ka quajtur presidentin rus, president despotik që do të provojë të transferojë luftën në Ballkanin Perëndimor.
“Të gjitha kompanitë ruse kanë degët e tyre në Serbi, dhe qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik Vladimir Putin do të provojë ta transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta shdërruar në betejë të tij me demokracitë perëndimore”, tha ai. Kryeministri Kurti ka shprehur edhe njëherë dëshirën që Kosova të anëtarësohet në BE dhe NATO pas zhvillimeve të fundit.
“Ne qëndrojmë të vendosur dhe vigjilent dhe s’jemi të frikësuar, ne duam të anëtarësohemi në BE dhe NATO, ne kemi NATO-n në Kosovë por sa më parë që anëtarësohemi në NATO do të kemi stabilitet më të madh të rajonit. Presidenti Putin në nëntorin e kaluar ka pritur presidentin e Serbisë, Vuçiq në Soçi, dhe i ka shfaqur një hartë të Kosovës të përqëndruar në veriun e Kosovës sepse aty ka struktura ilegale që operojnë atje praktikisht janë në koordinim të afërt për atë kryeqytetet e BE-së duhet të kërkojnë nga Beogradi ta dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë. Për këtë BE dhe NATO duhet të angazhohen më shumë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj unë ju bëj thirrje 5 shteteve mosnjohëse të BE-së që ta njohin Kosovën dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në paqe, stabilitet dhe siguri”, tha ai.