Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj tha se mbetet jetike thirrja për të nxituar për t’u pajisur me kartat e identitetit dhe theksoi se vlefshmëria e saj do kushtëzojë edhe një numër të madh shërbimesh për qytetarët, përmes portalit e Albania.
“Personat që kanë karta të pavlefshme, pavarësisht se mund të kenë një kartë dhe një numër personal identifikimi, nuk do të mund ta përfitojnë shërbimin”.
Ministri i bëri thirrje dhe emigrantëve shqiptarë që të aplikojne online dhe te vetedeklarojne adresat e tyre.
“Në mënyrë që të përfitoni shërbimet, që të përfitoni dhe të drejtën për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në votimet e ardhshme, për arsye se Kodi i ri Elektoral parashikon identifikimin elektronik, identifikimin biometrik. Dhe ky identifikim biometrik nuk mund të kryhet në qoftë se ju nuk keni në dispozicion një kartë të vlefshme identifikimi”, u shpreh ministri.
“Por e shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje jo vetëm qytetarëve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por edhe qytetarëve shqiptarë brenda Shqipërisë, që të kuptojnë mirë se një numër përherë e më i madh shërbimesh në Republikën e Shqipërisë, po ofrohet dhe do të ofrohet vetëm online.
Për t’u mundësuar pjesëmarrja dhe përfitimi nga këto shërbime është jetike pajisja me kartën e identitetit. Karta e identitetit është çelësi, që hap dyert për tek shërbimet. Në qoftë se ju mungon çelësi nuk mund t’i merrni shërbimet. Ndaj duhet të nxitoni për t’u pajisur me karta në të gjitha zyrat e aplikimit, të cilat janë shtuar tashmë, edhe si zyra, edhe si poste, dhe kushtet e aplikimit janë më të mirat e mundshme”, vijoi Lleshaj.
Drejtori i Sistemeve Informatike, Vangjush Stavro tregoi shërbimin e ri që eshte hedhur online, në bashkëpunim me AKSHI-n, DPGJC dhe e-Albania për deklarimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë.
Në fillim shtetasi duhet të identifikohet në e-Albania me kredencialet e tij. Pasi identifikohet, thjeshtë duhet të kërkojë për shërbimin përkatës: “Deklarimi i adresës jashtë vendit”.
Duke vendosur disa fjalë kyçe mund të dalë shërbimi – Deklarimi i adresës; shtypim butonin “Përdor” për të shfrytëzuar këtë shërbim; krijojmë një aplikim të ri. Siç do të shihni edhe vetë, shumë thjesht duhet të plotësojë shtetin ku banon, kodin postar, qytetin, rrugën dhe numrin e ndërtesës ku shtetasi banon.
Gjithashtu më poshtë mund të vendosë elementë shtesë, në qoftë se është për të gjetur adresën, – janë me zgjedhje shtetet. Më poshtë mund të zgjidhni edhe anëtarët e familjes, me të cilët ndodhet në adresë, kështu që adresa përditësohet për të gjithë anëtarët e familjes së tij, gjithmonë për ata që ka në certifikatën familjare. Ka edhe një seksion me “shënime” dhe në fund, gjë që është shumë e rëndësishme, – duhet të ngarkojë një foto, të një dokumenti, që vërteton adresën, që mund të jetë, psh., fatura e dritave, e ujit ose një kontratë qiraje.
Të gjitha këto të dhëna, në momentin që shtetasi shtyp butonin “dërgo” në fund, do të shkojnë pranë zyrës së gjendjes civile përkatëse, ku ky shtetas është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë.
Punonjësi do marrë njoftimin që i ka ardhur kjo kërkesë, do ta përpunojë, do shqyrtojë të dhënat dhe automatikisht i saktëson adresën shtetasit në Regjistër. Dhe ai ka adresën kryesore në Shqipëri, dhe adresën jashtë vendit.