Dy anë të së njëjtës medalje, kështu i ka quajtur Lulzim Basha akuzat e Sali Berishës dhe Edi Ramës, që janë bërë ndaj tij.
Basha tha se deri dje Edi Rama e akuzonte atë si kukull të Berishës, ndërsa sot ky i fundit i bën akuza se është peng i Ramës, gjë e cila sipas kreut të demokratëve nuk ka për të ndodhur kurrë.
A jeni në pazar me kryeministrin Edi Rama, pasi kjo ishte akuza e liderit historik të demokratëve?
Basha: Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës, dje Sali Berisha më akuzoi për peng të Edi Ramës, e para është një gënjeshtër, e dyta nuk ka për të ndodhur kurrë. Të dyja janë dy anë të së njëjtjës medalje. PD po ecën përpara, do ti prijë betejës popullore dhe do të largojë këtë regjim, duke e kthyer vendin në shinat e demokracisë, ky është misioni im, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni i PD.
Basha tha më tej gjatë fjalës së tij se nuk do të ketë asnjë Kuvend Kombëtar të PD-së që të dalë kundër vendimit të qeverisë amerikane, ndërkohë që refuzoi që të përgjigjej nëse ishte duke i bërë presion kryetarëve të degëve që të sabotojnë takimet e Berishës në rrethe.