Importet e mallrave të akcizës, të tilla si karburante, cigare, kafe dhe birrë janë rritur me shpejtësi gjatë këtij viti si rrjedhoje e kërkesës së lartë post-pandemike, duke thyer rekordin historik.
Sasitë e importuara janë rritur në një kohë që edhe çmimet e produkteve të akcizës në tregun ndërkombëtare në nivele të larta. Rritja e çmimeve dhe sasive të importuara ka ndikuar pozitivisht të ardhurat buxhetore, por nga ana tjetër konsumatorët po përballen me një valë të menjëhershme të rritjes së çmimeve për të gjithë artikujt e mallrave dhe shërbimeve.
Karburantet rritje me 21%, rekorde historike
Importet e karburanteve shënuan rritje historike këtë vit. Në 8 mujorin e këtij është importuar sasia më e lartë e shënuar ndonjëherë, me 408 mijë tonë ose 21 për qind më shumë se, në vitin 2020 po në të njëjtën periudhë. Burimet nga tregu pohojnë se rritja e importeve po nxitet nga kërkesa post-pandemike, nga procesi i rindërtimit dhe nga mosfunksionimi i rafinerisë së naftës ARMO.
Sasia më e lartë mujore është importuar në gusht me rreth 66.8 mijë tonë një rekord i pashënuar ndonjëherë edhe pse çmimi i naftës është në rritje. Një fuçi naftë po shitet aktualisht në tregun ndërkombëtar me 70 dollarë me një rritje 25% në krahasim me vitin 2020, teksa rritja u përcoll edhe në tregjet vendase. Që nga fillimi i këtij viti çmimi naftës është rritur katër herë, duke u shtrenjtuar në total me 21 lekë për litër ose me mbi 14%.
Cigaret, importet rriten me 31%
Importet e cigareve në sasi janë rritur me 31 për qind në 8-mujor. Të dhënat nga ministria e Financave tregojnë se ,janë importuar 2219 tonë në 8-mujor me një rritje rekord prej 31% në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Burimet nga tregu pohojnë se, importuesit po nxiten të krijojnë rezerva nga frika se furnizimet e mëvonshme do të jenë më çmime më të larta. Cigaret janë nga mallrat e akcizës që kanë një rol të rëndësishëm në të ardhurat doganore.
Kafeja rritje me 11%
Sasia e kafes së importuar ishte 16% më e lartë se 8-mujori i vitit 2020. Gjithsej u zhdoganuan 5746 tonë ose 568 tonë më shumë se vitin e kaluar. Rritja po nxitet që faktorë që lidhen me mbinxehjen e kërkesës dhe nga frika për një rritje të paparashikuar të çmimeve në avancë.
Një kilogram kafe “Arabika” u shit në tregjet ndërkombëtare 4.7 euro për kilogram me një rritje 73 për qind në raport me vitin 2019 dhe 30% në raport me korrikun e vitit 2020. Rritja e çmimit të kafesë në tregjet ndërkombëtare u nxit nga ngrica shkatërruese në prodhuesin kryesor të kafesë në Brazil dhe kostot rekord të transportit të shkaktuar nga COVID-19. Çmimet e kafesë rriten me tej koston e një shporte blerjesh, pas rritjes së artikujve të tjerë si buka, vajrat vegjetale dhe sheqeri. Si rrjedhojë kjo rritje u përcoll edhe në tregjet e pakicës në vendin tonë dhe shërbimeve në bare dhe restorante.
Birra rritje me 16%
Importet e birrës iu rikthyen rritjes këtë vit me mbi 16% në 8-mujorin 2021. Kërkesa u nxit nga konsumi më i lartë si rrjedhojë e rikthimit të sektorit të turizmit në normalitet. Në 8 mujor u importuan 33 mijë letra birrë nga rreth 28 mijë në 8-mujorin e vitit të kaluar.
Ndikohen pozitivisht të ardhurat buxhetore
Rritja në sasi e mallrave të akcizës i ka ndikuar pozitivisht të ardhurat buxhetore. Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 119.1 miliardë lekë, 23 miliardë lekë ose 23.9% më shumë se 8 mujori 2020, si dhe 9.2 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2021.
Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 79.4 miliardë lekë, 16.8 miliardë lekë ose 26.8% më shumë se një vit më parë, si dhe 6.9 miliardë ose 9.5% më shumë se plani për 8 mujorin 2021./B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al