Delegacionet ruse dhe ukrainase kanë përfunduar takimin me dyer të mbyllura në Stamboll, ku u diskutua për zhbllokimin e eksporteve të grurit në Detin e Zi. Ministria turke e mbrojtjes bëri me dije mbylljen e bisedimeve, pa dhënë më shumë detaje.
Në deklaratën e publikuar, ministria nuk specifikoi nëse ishte bërë ndonjë përparim në negociatat e para të drejtpërdrejta midis dy palëve që nga marsi.
“Në pavijonin Kalender ka përfunduar takimi katërpalësh ndërmjet delegacioneve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Federatës Ruse dhe Ukrainës dhe delegacionit të Kombeve të Bashkuara lidhur me dërgimin e sigurt të drithërave që presin në portet e Ukrainës nga deti”, thuhej në deklaratë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha sot se Kievi besonte se një marrëveshje ishte ishte shumë afër.
“Shqetësimet e sigurisë, të lidhura me pozicionin e Rusisë, duhet të adresohen. Jemi në fazën finale dhe tani gjithçka varet nga Rusia”, tha Kuleba.