Ekzekutohet Pjerin Xhuvani, i njohur si mbështetës i Partisë Socialiste. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme në hyrje të lagjes “5 Maji” në qytetin e Elbasanit, kur fillimisht u raportua se shtabi elektoral i Partisë Demokratike kishte ndaluar një makinë që po shpërndante para. Më pas u zbulua se kishte ndodhur një vrasje e rëndë, e pasuar me 4 të plagosur.
Burime sqaruan se bëhet fjalë për ish-drejtorin e Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Pjerin Xhuvani, 56 vjeç. Ai njihet si një nga mbështetësit e Partisë Socialiste në zonë. Bashkë me të u plagosën edhe 4 persona. I pari është dhëndri i Pjerin Xhuvanit, i dyti është një person i identifikuar si Klement Xhaferi, një emër i njohur për përplasjen e 14 marsit në Elbasan mes PD e PS. E treta është policja e njësisë Shqiponja, Xhensila Sota. Ndërsa i plagosuri i katërt është një qytetar.
Autori është një ish-efektiv i forcave Speciale RENEA. Ai është Arbër Papleka dhe është vetëdorëzuar menjëherë pas ngjarjes në polici.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, dhe kanë nisur nga puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Emri i Xhuvanit u përmend më 14 mars, mes personave të akuzuar nga Partia Demokratike se ishte pjesë e grupit që po shoqëronte kryeministrin Edi Rama në Elbasan. Ai u përplas trup me trup me mbështetësit e PD të cilët thërrisnin Rama Ik.
Ngjarja është ende e pazbardhur dhe dinamika e plotë nuk dihet. Gazment Bardhi, drejtues politik i Partisë Demokratike në Elbasan deklaroi për mediat se ky është shtabi elektoral i Taulant Ballës.