Një nga njerëzit më të kërkuar në Itali, mafioz Rocco Morabito, ka mbërritur në Romë pasi u ekstradua nga Brazili, ku kishte qenë i fshehur.
I njohur si “mbreti i kokainës së Milanos”, Morabito u arrestua në maj të vitit të kaluar në një operacion të përbashkët të policisë braziliane dhe italiane, shkruan BBC. 55-vjeçari do të vuajë dënimin me 30 vite burg për trafik droge. Bosi i mafies kaloi dekada në arrati duke përdorur një identitet të rremë në Amerikën e Jugut.
Policia më në fund e gjurmoi vitin e kaluar në João Pessoa, një qytet port në Brazilin verilindor, ku ai u arrestua së bashku me një tjetër anëtar të grupit mafioz ‘Ndrangheta, Vincenzo Pasquino. Mbërritja e Rocco Morabito në Romë i jep fund një gjuetie prej dekadash.
I lindur në qytetin kalabrez të Afrikos dhe me lidhje familjare me bosin mafioz Giuseppe Morabito, Rocco Morabito u bë një figurë kyçe në ‘Ndrangheta, rrjeti kriminal që kontrollon pjesën më të madhe të trafikut të kokainës në Itali dhe më gjerë. Si i ri, Morabito shpejt bëri emër si trafikant droge në Milano, duke krijuar rrugë kyçe të kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut në qytetin italian. Teksa tentoi të ndërmjetësonte një marrëveshje për të importuar më shumë se një ton kokainë nga Amerika e Jugut, ai u zhduk. Sipas policisë ai iku në Brazil, ku jetonte me emrin e rremë Francisco Capeletto.
Nga atje, u zhvendos në Uruguain fqinj, ku jetoi në Punta del Este për të paktën 13 vjet. Atje kishte marrë me qira një shtëpi luksoze, duke e mbushur me vepra arti, por fqinjët thanë se ai ngiste një makinë modeste dhe vetëm kur organizoi një festë luksoze për ditëlindjen e vajzës së tij, ata kuptuan se ai ishte shumë i pasur.
Pikërisht kur Morabito e regjistroi vajzën e tij në shkollë me emrin e saj të vërtetë, policia e vuri nën vëzhgim. Ai u prangos një vit më parë. Në shtëpinë e Morabito policia gjeti një armë, 13 telefona celularë dhe 150 fotografi të Morabitos me përmasa të pasaportës me maska të ndryshme.