Në një ditëlindje të pazakontë dhe në një kohë kur marrëdhëniet nuk janë në ditët e tyre më të mira, Meghan Markle ka marrë mesazhe urime në ditën e saj të lindjes edhe nga Familja Mbretërore.
Në 40-vjetorin e lindjes, Dukesha e Sussex ka marrë urime nga Mbretëresha, Kate Middleton dhe Princi William. ‘The Sun’ shkruan se Meghan do ta festojë ditëlindjen në Shtetet e Bashkuara, por ende nuk janë zbuluar detajet për festën e Dukeshës.
Mbretëresha e uroi Markle me një status të publikuar në “Twitter”: “I uroj Dukeshës së Sussex gëzuar ditëlindjen sot!”. Postimi ishte shoqëruar me foto të Meghan dhe Princit Harry së bashku me djalin e tyre, Archie.
Ndërsa William dhe Kate shkruajnë në “Twitter”: “I urojmë gëzuar ditëlindjen e 40-të Dukeshës së Sussex!”.
Kjo është ditëlindja e parë që Meghan do të festojë pa tituj mbretërorë. Në fillim të qershorit, Markle u bë nënë për herë të dytë me një vajzë, Lilibet. Siç shkruajnë tabloidët ndërkombëtarë, Meghan ka planifikuar ta festojë ditëlindjen larg kureshtjes së mediave dhe vetëm me familjen e saj të ngushtë.