Me pretendimin se raportimi për lidhjet e tij me koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane i ka shkaktuar ‘një dëm shumë të rëndë moral dhe ekzistencial’, Mirel Mërtiti ngriti padi ndaj BIRN Albania.
Në kërkesë-padinë e dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, Mërtiri kërkon fshirjen e shkrimit “Politika pas plehrave: Kush është biznesmeni në hije i monopolit të inceneratorëve” si dhe përgënjeshtrimin e tij nga Reporter.al. Mërtiri kërkon gjithashtu një dëmshpërblim për dëm jopasuror.
Shkrimi me autorë Aleksandra Bogdani dhe Besar Likmeta u publikua më 17 shtator 2020 dhe trajton lidhjen e Mërtirit me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj si dhe lidhjen e ngushtë të tij me dy pronarët zyrtarë të koncesioneve të inceneratorëve, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Mërtiri pretendon në kërkesë-padi se shkrimi në fjalë përmban aludime dhe etiketime fyese, të cilat i kanë denigruar figurën dhe i kanë cenuar jetën personale, familjare, sociale dhe pasurore.
“Paditësi ka lindur në qytetin e Fierit në një familje punëtore, është rritur dhe edukuar nga prindërit, të cilët i kanë kultivuar ndjenjën e qytetarisë, të integritetit, ndershmërisë, të respektit të vlerave njerëzore, respektit për punën etj,” thuhet në kërkesë-padi.
Mërtiri pretendon gjithashtu se i është cenuar personaliteti, duke i shkaktuar dhimbje të brendshme dhe vuajtje shpirtërore. Ai i konsideron faktet në shkrim të pabaza, sa kohë që sipas tij nuk ekziston ndonjë vendim nga institucionet kompetente që ta ketë ngarkuar atë me përgjegjësi penale apo administrative.
BIRN Albania bën të ditur se i qëndron shkrimit të publikuar dhe është e gatshme që të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet e paditësit.
Kristina Voko, drejtore ekzekutive e BIRN Albania tha se raportimi i BIRN, “përmbush standardet më të larta të etikës në gazetari dhe, duke qenë se hedh dritë mbi kontrata koncesionare me vlerë qindramilionë euro, të cilat paguhen nga taksapaguesit, përbën një interes madhor publik.”
“Në vlerësimin tonë kjo është një padi e llojit SLAPP (Strategic Lawsuit Against Public Participation), një padi e cila ka qëllim të censurojë dhe të intimidojë,” tha Voko. “Ne i qëndrojmë fakteve të publikuara dhe do të vazhdojmë të publikojmë gazetari që është në interes të publikut, qoftë për inceneratorët apo çdo biznes tjetër koncesionar,” përfundoi ajo.