Kompania Bankers Petroleum do të vijojë të mbetet nën monitorim deri në 31 korrik 2022 sipas një vendimi të fundit të Autoritetit të Konkurrencës duke zgjatur kështu afatin që në vendimin e dhjetorit ishte përcaktuar një vit nga hyra në fuqi e vendimit (korrik 2020).
Në një vendim të fundit Autoriteti kërkoi që Bankers të përmbushë detyrimet e saj që janë përcaktuar me një vendim të mëparshëm të korrikut 2020.
“Detyrimin e ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania LTD si ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun e prodhimit të naftës bruto në RSH:
– Të aplikojë kushte tregtimi të barabarta për veprime tregtare të njëjta ndaj ndërmarrjeve me të cilat hyn në marrëdhënie kontraktore;
– Të furnizojë ndërmarrjet e përpunimit të naftës bruto në tregun vendas, në respektim të marrëdhënieve kontraktore bazuar në dispozitat e Kodit Civil.
III. Detyrimin e Bankers Petroleum Albania LTD të depozitojë pranë AK: – çdo raportim tremujor mbi kostot e naftës; – çdo raportim tremujor mbi prodhimin e naftës dhe operacionet hidrokarbure” thuhet në vendimin e Konkurrencës.
Zanafilla e situatës së Bankers vjen me disa problematikave të ngritura më herët me një prej rafinerive në vend, Al Gloibal Oil ku palët patën disa pretendime për mosfurnizim me naftë nga njëra anë që erdhi si rezultat i moskryerjes së pagesave në kohë nga ana tjetër.
Pas një hetimi të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës, ky i fundit doli me rekomandime që përfshinin më shumë sesa Bankers dhe Al Global Oil. Në të ishin edhe kompania publike Albpetrol si dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Bankers në atë kohë ju kërkua që të dorëzonte për vlerësim paraprak çdo draft kontratë që do të lidhë me çdo rafineri, në respektim të detyrimeve që burojnë nga ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.
Për vitin 2021 Bankers ka dorëzuar një draft kontratë dhe ka bërë reflektimin e disa pikave që janë sugjeruar nga Konkurrenca por ka refuzuar të zbardhë detaje të cilat sipas saj përbëjnë sekret tregtar. Sasitë e naftës që i dorëzohen rafinerisë sipas Bankers do të vendoseshin në baza tre mujore nga negocimet mes palëve.
Marrë nga Monitor.al