Qeveria nisi gjatë vitit të kaluar dhënien e naftës pa taksa për fermerët si një mënyrë për mbështetjen e tyre, gjithmonë kur ata përmbushnin një sërë kriteresh. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hapi edhe për këtë vit procedurën e prokurimit për të siguruar sasinë e nevojshme të naftës për vijimin e kësaj politike edhe gjatë vitit 2022. Fondi limit i vënë në dispozicion është 791 milionë lekë apo rreth 6.5 milionë euro.
Tenderi që ka në objekt “Blerje karburanti për skemën e rimburismit të fermerëve” parashikon një sërë kushtesh që duhet të përmbushin operatorët e interesuar që do të hyjnë në garë ku ndër të tjera bilancet dhe kapacitetet teknike.
Kështu lidhur me këto të fundit ministria sanksionon se operatori ekonomik duhet të paraqesë dëshmi për furnizimet e mëparshme të ngjashme të kryera gjatë 3 (tre) viteve të fundit nga data e shpalljes së njoftimit të kontratës, në vlerën jo më pak se 40% e vlerës së fondit limit. Këto furnizime të mëparshme, të ngjashme, duhet të vërtetohen me dokumentacion.
Aplikimet për rimbursim
Vitin e shkuar aplikimet për përfitimin nga skema u bënë në mënyrë elektronike përmes e-albania deri më 30 mars.
Shërbimi elektronik “Aplikim për skemën e karburantit për bujqësinë”, mundësonte aplikimin online për të përfituar nga skema e karburantit për bujqësinë, për të gjithë fermerët me NIPT fermeri ose subjekteve me NIPT tregtar (persona fizike apo juridikë) me veprimtari të prodhimit bujqësor, të cilët kishin në pronësi apo në përdorim/me qira tokë bujqësore, dispononin ferma në madhësi jo më pak 0.4 Ha, e përbërë nga parcela me sipërfaqe jo më pak se 0.1 Ha secila, si dhe që punonin tokën dhe i shërbenin kulturave bujqësore me mjete të mekanizuara.
Nëpërmjet kësaj mbështetje, fermerët mund të përfitonin mesatarisht nga 70-100 L naftë falas për çdo hektarë tokë të mbjellë, në varësi të kulturave bujqësore të cilat mund të jenë perime, drurë frutorë, bimët aromatike dhe medicinale, panxhar, pambuk, misër, fasule, luledielli e një seri e ngjashme kultivimi.