Çmimet e naftës janë shtrenjtuar sërish në vend, për herë të dytë brenda këtij viti, duke reflektuar shtrenjtimin e karburanteve në tregjet globale, si rrjedhojë e pasojave të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në pikat e tregtimit me pakicë të “Kastrati”, operatorit më të madh në vend, një litër naftë tregtohet me 198 lekë dhe një litër benzinë me 199 lekë, nga 192 dhe 194 lekë që ishin më parë, me një rritje prej rreth 7 lekësh.
Aktorët e tregut pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit. Në bursat globale, ditën e sotme, nafta kërceu në nivelin e 118 dollarëve për fuçi, niveli më i lartë në 9 vite.
Tendenca e rritjes së çmimeve në vend
Në fillim të muajit shkurt nafta u rrit për herë të parë këtë vit, duke reflektuar si shtrenjtimin e saj në bursa, ashtu dhe fillimi i zbatimit të një takse të re, që parashikon indeksimin e akcizës me inflacionin, që sipas doganave kishte një efekt prej 1.33 lekë për litër pa TVSH.
Që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur tetë herë, duke arritur në rreth 200 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 50 lekë për litër, ose rreth 34%.
Aktualisht nafta në vend ka kapur niveleve rekord historike prej 200 lekë për litër, duke tejkaluar nivelin më të lartë prej 190 lekësh që u arrit në periudhën 2008-2009, kur ari i zi në bursa i kaloi 140 dollarë për fuçi. Ndërsa aktualisht në bursa, nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, por rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.
Operatorët e tregut pohojnë se nëse nafta në bursat globale do të shkojë në nivelet e 130-140 dollarëve për fuçi, në tregun e brendshëm mund të arrijë në 250 lekë për litër.
Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë. https://www.monitor.al/nafta-ne-shqiperi-me-e-shtrenjta-ne-europe-sipas-fuqise-blerese/
Operatorët e tregut pohojnë se der tani, rritja e çmimeve nuk ka ndikuar në frenimin e konsumit, pasi makina është një mjet i domosdoshëm.
Nafta në botë
Çmimi i naftës të papërpunuar Brend arriti të enjten me 118 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në nëntë vite, pasi konflikti I përshkallëzuar Rusi-Ukrainë dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera ndaj Moskës krijuan ndërprerje të furnizimit dhe tregtisë.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën në 118.22 dollarë për fuçi në Londër, niveli më i lartë që nga shkurti i vitit 2013. Nafta e papërpunuar Brent, e njohur gjithashtu si London Brent, përbën më shumë se gjysmën e ofertës së tregtuar globalisht të naftës bruto në botë.
Në Shtetet e Bashkuara, çmimi i naftës së papërpunuar West Texas Intermediate u rrit në 114,70 dollarë për fuçi, më i larti në 11 vjet.
Marrë nga Monitor.al