SHBA-Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.
“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.
Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”
Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.
Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.
Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të zotit Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit në SHBA.
Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të zotit Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.
Ndërsa mbërrijnë në Uashington të Martën nga shtëpia e tyre në shtetin lindor të Deluerë, Joe dhe Jill Biden, si edhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit Lincoln, për të nderuar gati 400,000 amerikanët që kanë vdekur në pandeminë e koronavirusit.
Monumente të tjera në të gjithë SHBA, përfshirë Empire State Building në Nju Jork dhe Space Needle në Seattle, Washington, po ndezin drita në të njëjtën kohë me ngjarjen e Uashingtonit.
Zona e afërt përreth Kapitolit, ku zoti Biden dhe zonja Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.
Autoritetet kanë mbyllur gjithashtu Shëtitoren Kombëtare si edhe rrugët dhe disa stacione metroje në qendrën e Uashingtonit. Urat që lidhin Virxhinian me Uashingtonin gjithashtu po mbyllen. Mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe oficerë të rendit janë vendosur në të gjithë zonën për të marrë masat ndaj ndonjë dhune të mundshme.