Giorgio Armani fiku muzikën gjatë shfaqjes së tij të modës në Milano dje, në shenjë respekti për njerëzit e përfshirë në luftën në Ukrainë. Modelet sfiluan në pasarelën ku mbizotëronte heshtja, e ndërprerë nga duartrokitjet e publikut.
“Vendimi im për të mos përdorur asnjë muzikë u mor si një shenjë respekti ndaj njerëzve të përfshirë në tragjedinë e shpalosur në Ukrainë”, shkruhej në një postim mbi një baner të zi në llogarinë e stilistit në Twitter.
“Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të dërgojmë një mesazh që nuk duam të festojmë, sepse diçka shumë shqetësuese po ndodh rreth nesh”, tha i prekur stilisti 87-vjeçar pas spektaklit.
Modelet dhe modelët mbanin të veshur pallto, xhaketa dhe pantallona të zeza prej kadifeje për koleksionin vjeshtë-dimër 2022, tek-tuk me ngjyrime blu ose të kuqe. Kishte gjithashtu fustane mbrëmjeje mëndafshi blu elektrike dhe bluza pa mëngë, bluza të qëndisura, tuta të gjata të bardha dhe printime me lule.