Itali- “Që nga e shtuna e kaluar, telefoni i tij është i fikur dhe i paarritshëm”, kështu shkruajnë mediat italiane një ditë pas lajmit të bujshëm të arratisjes së trafikantit shqiptar të drogës, Moisi Habilajt, nga një banesë në provincën e Katanias, ku ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Moisi Habilaj, i dënuar me 15 vite e 5 muaj burg për trafik të lëndëve narkotike është arratisur. Mësohet se autoritetet italiane e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar Habilajn, mëngjesin e 11 janarit.
43-vjeçari shqiptar mbahej në mbikëqyrje me byzylyk elektronik, pasi ishte dënuar me 15.5 vite burg, ndërsa dje kur policia ka shkuar për ta rikthyer në burg, ai nuk është gjetur në banesë.
“Misteri i fundit në lidhje me trafikantin shqiptar të drogës Moisi Habilaj kalon nga një apartament i vogël në San Michele di Ganzaria, në provincën e Catania, në atë që për dekada ka qenë territori referues i shefit të Cosa Nostras, Ciccio La Rocca”, shkruajnë mediat italiane.
Më tej, në shkrim thuhet se “Ku ka shkuar Habilaj? Avokatët që e mbrojnë atë përjashtojnë ekzekutimin e një urdhri ekstradimi në Shqipëri, vend në të cilin Moisi Habilaj është përballur me një hetim paralel me atë të gjyqësorit Italian. 43 vjeçari Habilaj, para se të shkonte në San Michele di Ganzaria, ishte burgosur në burgun Bicocca. Pasi kaloi 954 ditë pas hekurave, 43 vjeçari u transferua në qytetin e Calatina ku ai ishte mysafir i një të afërmi, nga ana e babait për pak më shumë se një muaj”.
Karabinierët kanë shkuar në shtëpi në San Michele di Ganzaria, në Raguza të Italisë, aty ku Habilaj qëndronte në masën ‘arrest shtëpie’ që nga muaji maj i vitit të kaluar. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Katanias, e cila la në fuqi vendimin për të dënuar me 15 vite e 5 muaj burg Habilajn, karabinierët kanë shkuar që ta marrin të dënuarin për ta kthyer në qeli, por, Habilaj nuk është gjetur aty dhe rrjedhimisht, autoritetet italiane e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar.