Gjatë takimit të zhvilluar sot me studentët e Fakultetit Ekonomik, kreu i Partisë Demokratike, tregoi mes të tjerash edhe prioritetet e tij kryesore, nëse bëhet kryeministër i vendit.
Basha garantoi të rinjtë se ndër prioritetet e tij kryesore do të jenë programi për subvencionimin e fermerëve me 100 milionë euro në vit, rritja e pensioneve dhe ndryshimi i realitetit brenda 6 muajve për studentët.
“Unë ju siguroj se si kryeministër i ardhshëm prioritet do të kenë praktikat mësimore për studentë, do kenë subvencionimi 100% i tarifave për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Prioritet do të jetë programi ynë për subvencionimin e fermerëve me 100 milionë euro në vit. Prioritet për mua do të jetë taksa 9% që Shqipëria të jetë konkurruese me rajonin dhe të thithë investime të huaja. Prioritet për mua do të jetë rritja e pensioneve dhe jo 10 oligarkët pranë qeverisë, dhe ky është një objektiv i shpallur të cilit do t’i shkojmë deri në fund me vendosmërinë më të madhe brenda kohës më të shkurtër të mundshme. Dhe meqë ju jeni student të ekonomisë, po ju them që ekzistojnë të gjithë mekanizmat për ta ndryshuar këtë realitet brenda 6 muajve të parë të qeverisjes tonë të ardhshme”, garantoi Basha të rinjtë.