Eksportet kanë vijuar me rritjen dyshifrore në vlerë edhe në muajin korrik, por ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me muajt e mëparshëm, duke treguar presionin që po ushtrojnë çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare edhe në këtë sektor. Sipas INSTAT, në qershor u eksportuan mallra me vlerë 39.3 miliardë lekë, me një rritje prej 22.8%,. Në qershor zgjerimi ishte 32.2% me bazë vjetore. Në maj rritja ishte 37%, ndërsa në prill 47%, pasi në shkurt dhe në mars kishte arriti zgjerim rekord prej mbi 50%.
Për 7 mujorin, eksportet arritën në 282.5 miliardë lekë, me një zgjerim prej 40.1%, nga 32.2% në qershor. Në maj rritja ishte 37%, ndërsa në prill 47%, pasi në shkurt dhe në mars kishte arriti zgjerim rekord prej mbi 50%. Rritja pozitive e eksporteve po ndikohet nga çmimet e larta, ndërsa në sasi zgjerimi është shumë më i ulët, madje është negativ për mineralet. Lëndët djegëse e energjinë dhe minimal për materialet e ndërtimit dhe metalet, që ishin dy faktorët kryesor që udhëhoqën persofmancën pozitive në dy muajt e parë të vitit.
Sipas INSTAT për 7 mujorin Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +12,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,1 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,9 pikë përqindje
Në korrik, në rritjen e eksporteve, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +6,6 pikë përqindje ,“Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,2 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +5,0 pikë përqindje.
Kriza e fuqisë punëtore po jep efektet e saj dhe në ecurinë e eksporteve. Sipas INSTAT, në vlerë, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 22% me bazë vjetore për 7 mujorin. Por, në sasi zgjerimi ishte rreth 6%.
Sektori e ka marrë veten pasi në dy vitet e pandemisë u godit më shumë nga rënia e kërkesës për shkak të karantinave të vazhdueshme. Por, eksportuesit ngrenë shqetësimin se ata nuk arrijnë të përballojnë rritjen e kërkesës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Materialet e ndërtimit, bien në sasi në korrik
Materialet ndërtimit dhe metalet kanë pësuar rritje të ndjeshme të eksporteve me rreth 62% në 7-mujor, ndonëse në qershor e korrik edhe ky grup u ngadalësua. Përfaqësues të sektorit bënë më dije se rritje po udhëhiqet nga çmimet e larta, por kjo nga ana tjetër po ndikonnë frenimin e kërkesës. Në korrik, eksportet e këtij grupi në sasi ranë për herë të parë me gati 30%.
Ngadalësohen mineralet dhe lëndët djegëse, nga efekti i energjisë
“Mineralet, lëndë djegëse, energjia” u rritën me 57% për 7 mujorin, por ritmet e zgjerimit u ngadalësuan, teksa rritja e çmimeve po ndikon në frenimin e kërkesës.
Ndikim negativ ka dhënë dhe rënie e eksporteve të energjisë elektrike për shkak të thatësirës, ndërsa Bankers petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se ata nuk i kanë ulur eksportet.
Në sasi, ky grup shënoi dhe rënien m ëtë fortë me -12% për 7 mujorin dhe -25% në korrik.
Ushqimet dhe pijet rritje e ngadaltë në korrik
Eksporti i ushqimeve dhe pijeve u rrit me 16% për 7 mujorin, nga 20% në 5-mujor. Kjo ishte rritja më e ulët në krahasim me grupet e tjera të eksporteve.
Vitet e tjera eksportet e ushqimeve kishin ritmet më të lartë të rritjes, për shkak të bazës së ulet eksporteve dhe rritjes së prodhimit në sera. Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët për shkak se një pjesë e serave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve.
Në korrik rritja e eksporteve në vlerë ishte minimale, me vetëm 2.4% më e ulëta nga të gjitha grupet e tjera.
Makineritë e pajisjet në rritje pas shtimit të numrit të fabrikave
Makineritë e pajisjet kanë shënuar ecuri pozitive duke u zgjerua me 42% për korrikun dhe 36.5% për 7 mujorin. Ky grup është nxitur vitet e fundit nga ngritja e fabrikave që montojnë pjesë elektrike për automjetet.
Vijon thellimi i deficitit
Sipas INSTAT, Në këtë shtatëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 293 mld lekë, duke u rritur me 40,1 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 528 mld lekë, duke u rritur me 23,9 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 235 mld lekë, duke u rritur me 8,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.
Në Korrik 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 39 mld lekë, duke u rritur me 23,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 14,3 %, në krahasim me Qershor 2022. Importet e mallrave arritën vlerën 82 mld lekë, duke u rritur me 14,1 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 0,6 %, në krahasim me Qershor 2022. Deficiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u rritur me 6,9 %, krahasuar me Korrik 2021 dhe me 20,3 %, në krahasim me Qershor 2022.
Rritje me Italinë, rënie me Kosovën e Spanjën
Në muajin Korrik 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2021 janë: Itali (35,2 %), Greqi (4,8 % ) dhe Austri (248,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kosova (12,1 %) Spanja (20,8 %) dhe Gjermania (2,2 %) .
Gjatë këtij shtatëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (50,9 %), Kosova (8,4 %) dhe Gjermania (79,3 %) . Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (46,7 %) .
Në muajin Korrik 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2021 janë: Italia (7,2 %), Turqia (5,2 %) dhe Kina (12,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (3,9 %) , Kosova (3,0 %) dhe SHBA (71,7 %).
Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (12,8 %), Turqia (35,4 %) dhe Kina (8,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (30,3 %), Rusia (21,7 %) dhe Zvicra (14,0 %)./Monitor.