Laç- Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Laç ku ka nisur sot ndërtimi i pallateve të reja në bashkëpunim me qeverinë turke për banorët të cilët humbën banesat nga tërmeti i 26 nëntorit.
Rama shtoi se ndërtimi i këtyre pallateve në shenjë solidariteti nga shteti turk do të jetë simboli i duarve të shtrënguara të miqësisë dhe realitetit mes dy vendeve.
“Sot jemi këtu për të dëshmuar solidaritetin e jashtëzakonshëm që Republika e Turqisë dhe presidenti Erdogan kanë shprehur qysh në momentet e para pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar dhe po ashtu edhe fjalën e mbajtur të presidentit dhe të miqve tanë turq për të nisur nga puna dhe për ta rilindur zemrën e qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re e cila është e ndarë në dy zona, njëra zonë, më e madhja në këtë krah, e cila po ndërtohet nga themelet falë kësaj mbështetjeje dhe zona në krahun tjetër që ka nisur me infrastrukturën dhe do ndërtohet nga qeveria e Shqipërisë. Por është një lagje, simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit e cila do jetë këtu dhe kohë që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënieje krejt të veçantë mes dy popujve, dy vendeve dhe dy qeverive tona. Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë që në momentet e para por angazhuan me njëherë forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat. Kam pasur privilegjin që t’i takoj forcat turke të kërkim-shpëtimit dhe të shikoj nga afër përkushtimin dhe vetëmohimin me të cilin djemtë e ardhur nga Turqia shpëtuan jetë shqiptare duke mos lejuar që gërmadhat t’i merrnin me vete. Më pas presidenti Erdogan më ka ftuar të jem i pranishëm në vendin mik në një event të madh në të cilin ka apeluar për solidaritet dhe ka lajmëruar gatishmërinë për ndërtimin e 500 apartamenteve. Menjëherë së bashku me një tjetër mik të mirë që kemi njohur dhe e kemi pasur mundësinë ta vlerësojmë në këto ditë të vështira, ministrin Mehmet Kurum ne kemi filluar punën, duke u mbështetur tek eksperienca e madhe agjencisë turke, duke vënë në komunikim arkitektët, projektuesit. Ky projekt nuk është thjesht një projekt me pallate me 525 apartamente, njësi shërbimi, parkime, qendër tregtare me radhë por është dhe një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, me parametra urbanë miqësorë me territorin dhe që merr në konsideratë elementë tradicionalë të përkthyer në arkitekturë bashkëkohore. Për këtë ndjeshmëri dua të falënderoj ministrin në radhë të parë sepse ka qenë kyç në nxitjen e këtij projekti”, deklaroi Rama.