Dafina Berisha synon të bëhet e para deputete shqiptare në Bundestagun gjerman.
Ajo është vetëm 21-vjeç dhe është nga Kosova. Studentja e Juridikut po garon në listën e Partisë Social Demokrate, dhe premton të jetë zëri i të drejtave të shqiptarëve në parlamentin gjerman.
“Kemi 9 mijë shqiptarë që kanë të drejtë vote në Hamburg dhe prapë se prapë asnjë shqiptar nuk është pjesë e parlamentit gjerman. Unë dua të jem shqiptarja e parë në Bundestag për të promovuar edhe të drejtat e shqiptarëve në Bundestag, por edhe të të rinjve”, shprehet ajo raporton “Klan Kosova”.
Sjellim në vëmendje që në një intervistë në Info Magazine Berisha shpreh kritike për mosorganizimin e shqiptarëve në Gjermani edhe pse thotë se në numër janë rreth 400 mijë.
“Duhet të angazhohemi në politikë, në klube të sporteve, sepse vetëm kur jemi aktivë mund të ndryshojmë diçka. Të huajt e tjerë janë shumë të organizuar sesa në shqiptarët. Ka shumë shqiptarë inteligjentë, por duhet angazhuar më shumë në organizim”, thotë ajo. Në listën e SPD-së Berisha rezulton të jetë e nënta. Ajo ka deklaruar se pati mbështetjen e udhëheqësve të partisë për tu futur në garë dhe për të promovuar të drejtat e studentëve. “Nëna ime është infermiereve dhe kemi parë se sa keq janë kushtet, pak punëtorë dhe pagesa e vogla. Ne gjithashtu kemi synim rritjen e pagës minimale”, tha ajo.