KOSOVË– Kryeministri i Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti ka reaguar pas njohjes së Kosovës nga Izraeli. Në deklaratën e tij për shtyp ai ka ka deklaruar se me njohjen e vendit nga Izraelit sot zyrtarisht është thyer dhe bllokada e njohjeve. Hoti ka kujtuar se marrëveshja e 4 shtatorit ishte e mirë dhe i nxori gabim kritikët. Hoti ka thënë ndër të tjera se ditën e sotme është vënë në zbatim një naga pikat që u firmos në Shtëpinë e Bardhë në shtator të këtij viti.
”Sot vërtetë është ditë e rëndësishme për Kosovën. Kemi hapur kapitull të ri të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës. Me marrëveshjen e sotme që derivon nga marrëveshja e 4 shtatorit, kemi thyer bllokadën e njohjeve për Kosovën. Me nënshkrimin dhe lidhjen e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, shteti i Kosovës konsolidohet tutje në arenën ndërkombëtare falë mbështetjes që kemi pasur nga SHBA. Marrëveshja e sotme është argument se marrëveshja e 4 shtatorit ka qenë e mirë dhe i nxjerrë gabim ata që kritikuan këtë marrëveshje duke kritikuar edhe njohjen që ka ndodhur nga Izraeli në Shtëpinë e Bardhë”, tha Hoti.
Nga ana tjetër Ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla shton se me aktin e sotëm është thyer edhe zinxhiri i fushatës agresive të Serbisë. Ministrja në detyrë e MPJ-së, Meliza Haradinaj-Stublla tha se me marrëveshjen e sotme, Kosova thyen zinxhirët e fushatës agresive të Serbisë për ç’njohje.
“Kosova po çan nyjat e bllokadës me vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin. Me aktin e sotëm Kosova thyen edhe zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë për ç’njohjet”, ka thënë Haradinaj-Stublla”, tha ajo.
Izraeli dhe Kosova zyrtarisht ditën e sotme kanë njohur njëra-tjetrën si shtete si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në SHBA. Dy shtetet kanë formalizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e cila u bë përmes një ceremonie online. Kjo shënoi një etapë të rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës, pasi Izraeli e njohu atë zyrtarisht.