Aplikimi i një norme tavan interesi për kredinë konsumatore pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.
Burime nga tregu i institucioneve financiare jo banka thanë se Banka Qendrore është shprehur e hapur t’iu japë kohë këtyre institucioneve për t’u përshtatur me regjimin e një norme interesi tavan në aktivitetin e tyre.
Në fund të muajit shkurt të këtij viti, Banka e Shqipërisë propozoi disa ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”. Projektrregullorja parashikonte konceptin e ri të normës efektive maksimale të interesit (NEI maksimal) duke u bazuar në mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit për kreditë konsumatore dhe duke i shtuar kësaj mesatareje një të një të tretën e saj. Sipas propozimit, Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normën efektive maksimale të interesit për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore dhe intervalet e shumave të disbursuara në fund të çdo tremujori.
Institucionet financiare jo banka shprehën kundërshtime rreth propozimeve të Bankës së Shqipërisë. Sipas tyre, një rregullim i tillë mund t’i detyrojë të heqin dorë nga ofrimi i kredive të vogla, çka do të kufizonte aksesin e publikut në produktet financiare. Sipas tyre, një mesatare e njëjtë për bankat dhe IFJB-të nuk do të ishte një masë e drejtë, sepse këto të fundit kanë një model biznesi të ndryshëm dhe kosto më të larta të sigurimit të fondeve dhe të rrezikut në raport me bankat. Gjithashtu, ato u shprehën kundër një interesi tavan që ndryshohet çdo tre muaj, çka sipas tyre do të vështirësonte procesin e ndërtimit dhe shitjes së produkteve dhe planet e tyre të biznesit.
Banka e Shqipërisë është shprehur e hapur për konsultime dhe për të marrë parasysh propozimet e palëve të interesit që shkojnë në të njëjtin drejtim me objektivat e saj, duke lënë të kuptohet se nuk do të ndërmarrë hapa të nxituara për miratimin e ndryshimeve në rregullore.
Pritet që rregullorja e ndryshuar të miratohet më vonë gjatë këtij viti, por, me shumë të ngjarë, dispozitat që lidhen me normën maksimale të interesit do të hyjnë në fuqi duke filluar nga viti 2022.
Përcaktimi i një norme interesi tavan në huadhënie është praktikë e përhapur në shumë legjislacione, përfshi disa prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Sipas një studimi të Bankës Botërore, të vitit 2018, të paktën 76 vende të botës aplikojnë norma interesi tavan për kreditë. Arsyeja kryesore që motivon një praktikë të tillë është mbrojtja e interesit të konsumatorëve më të brishtë nga aplikimi i interesave abuzive prej huadhënësve, por në disa raste ato mund të targetojnë direkt uljen e çmimit të huadhënies në ekonomi.
Marrë nga Monitor.al