Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se në zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm nuk do të lidhin koalicione parazgjedhore me partitë e tjera.
Mustafa në një prononcim për Telegrafin tha se nuk do të lidhin koalicione, por mund të jenë të hapur për përfshirje të ndonjë subjekti më të vogël politik brenda listës së tyre.
“Nuk do të lidhim koalicione parazgjedhore me partitë e tjera. Mund të jemi të hapur për përfshirje të ndonjë subjekti më të vogël politik brenda listës tonë, por në zgjedhje shkojmë me akronimin LDK”, ka thënë Mustafa.
Disa ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykim për shpalljen e pavlefshme të votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.