Tiranë- Dalin detaje të tjera mbi vrasjen e të riut Klodian Rasha, nga efektivi i forcave Shqiponja, të cilit iu dha sot lamtumira e fundit.
Burime nga prokuroria thonë se teksa është shqyrtuar kamera e dvr-së afër dhe përballë vendit ku ai u vra, të pit stopit dhe dyqanit, por duke qenë një aparaturë shumë e vjetër nuk u përftuan pamje filmik. Prandaj u përpilua një vendim për ekspertim kompjuterik për të përfituar të dhëna të mundshme nga dvr-ja dhe vendimi do t’i dërgohet institutit të policisë shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Bëhet fjalë pikërisht për kameran që është përballë vendit ku u vra Klodian Rasha.
I riu sipas raportit paraprak të prokurorisë së Tiranës, që pritet të dorëzohet sot ose nesër në mëngjes, teksa forcat e shqiponjave po kontrollonin një automjet tip shevrole në afërsi të një lokali i quhet bar Xhusto, Rasha gjendej 30 metra më larg nga automjeti që po kontrollohej, i mbështetur në një pemë.
Oficeri i policisë thotë se “e thirra të panjohurin, o djali ndalo pak”, por ai menjëherë është larguar dhe kaluar karrexhatën kryesore që lidhet me rrugën Dritan Hoxha dhe menjëherë oficeri i dytë është vënë në ndjekje pas tij, në krahun tjetër të rrugës, sipas policëve dhe aktit.
Ndjekja ka vazhduar për shumë metra sipas versionit të policisë, dhe Rasha ka vazhduar të ecë për shumë metra. Ai ka vazhduar në pjesën e pasme të ndërtesave, dhe sikurse pretendon policia në krahun tjetër në rrugën “At Zef Valentino” është gjetur një armë, Mini Blow, në një kthesë që vë në pikëpyetje versionin e policisë, që ata thonë se e kishin parë dhe përmendin edhe si shkak ndriçimin e dobët.
Prokurori thotë se në pjesën e këtij dyqani që ka kamera, por që deri tani konsiderohen të pa administrueshme, është qëlluar dhe është gjetur një gjurmë nga plumbi i qitur nga arma e oficerit, dhe më pas viktima sipas prokurorisë ka vazhduar të ecë dhe është qëlluar në kurriz që rezultoi fatale për të.
E megjithatë pista më shpresë dhënëse në këtë ngjarje është administrimi i dvr-së dhe pamjeve filmike në këtë objekt, i cili mund të quhet si karta më e fortë e hetimeve për të parë e për tu bindur se çfarë ndodhi në momentet e fundit të jetës së Klodian Rashës, një i ri i cili sipas familjarëve kishte dalë për kafe dhe u ndoq hap pas hapi deri në vdekje./ Top Channel