Rreth 45 milionë njerëz në të gjithë botën janë aktualisht të kërcënuar nga uria, thanë të hënën Kombet e Bashkuara. Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), situata është veçanërisht e rëndë në Afganistan. Shefi i WFP-së, David Beasley, u bëri thirrje individëve të pasur që të ndihmojnë me donacione.
Ai tha se 7 miliardë dollarë do të mjaftonin për t’iu siguruar të 45 milionë njerëzve në rrezik një vakt ditor për një vit.
“Përderisa pandemia COVID-19 po përkeqëson në mënyrë të pamohueshme situatën në të gjithë botën, konfliktet e krijuara nga njerëzit po nxisin paqëndrueshmëri dhe po fuqizojnë një valë të re shkatërruese të urisë”, tha Beasley.
Sipas WFP-së, pandemia e koronavirusit dhe efektet e saj janë përgjegjëse për urinë e 15 milionë njerëzve. WFP tha se Afganistani “po bëhet kriza më e madhe humanitare në botë” dhe se nevojat e këtij vendi po i tejkalojnë ato të vendeve të tjera të goditura rëndë, të tilla si Etiopia, Sudani i Jugut, Siria dhe Jemeni./REL