Sektori publik numëroi 169 ndërmarrje publike në vitin 2020, shumica e tyre në sektorin e energjisë dhe ujit, por aktiviteti i tyre shihet të jetë cenuar nga pandemia gjatë vitit të kaluar.
Ministria e Financave në një analizë të posaçme për sektorin publik jobuxhetor vuri në dukje se gjatë vitit të kaluar ushtronin aktivitet 169 kompani publike nga të cilat 66 administrohen nga qeveria qendrore, 88 nga pushteti lokal, 16 korporata jo-financiare dhe 1 korporatë financiare.
Kompanitë e energjisë thellojnë detyrimet në buxhet
Sektori publik i energjisë konsiderohet strategjik ka qenë dhe mbetet nën monitorimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke pasur parasysh ndikimin e konsiderueshëm fiskal dhe impaktin e ndjeshëm të tij në ekonomi.
Në terma të riskut fiskal, impakti i sektorit si kosto apo të ardhura të munguara në financat publike, për vitin 2020, vlerësohet rreth 5.2 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2019, kur sektori pati një kosto rreth 6.8 miliardë lekë për buxhetin e shtetit, vihet re një përkeqësim i gjendjes së detyrimeve.
Ministria e Financave referoi se, kjo situatë është ndikuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike që ulin nivelin e prodhimit dhe humbjet e shkaktuara gjatë pandemisë të cilat ulën ndjeshëm performancën financiare të kompanive të sektorit energjetik.
Mbyllja e përkohshme, gjatë muajve mars dhe prill 2020, e disa aktiviteteve të prodhimit e shërbimit, ka sjellë një ndryshim të konsiderueshëm në konsumin e energjisë elektrike, duke rritur konsumin e klientëve familjarë dhe ulur konsumin e klientëve jo familjare.
Sipas vlerësimeve paraprake të OSHEE Sh.A të efekteve negative të kësaj situate në likuiditetet e kompanisë, parashikohet që kompania të pësojë luhatje të konsiderueshme financiare si pasojë e ndryshimit të strukturës së shitjes së energjisë nga klienti jo familjar tek klienti familjar.
Gjithashtu, një zhvillim i rëndësishëm është dhe ndarja e OSHEE Sh.A në tre kompani bija që prej datës 1 Janar 2020. Kjo ndarje u bë në kuadër të reformës në sektorin energjetik, reformë e cila ka rikthyer këtë sektor në trend pozitiv dhe të qëndrueshëm.
Ujësjellësit thellojnë humbjet më 2020
Ministria e Financave raportoi se për vitin 2020, nga të dhënat e agreguara të sektorit të ujësjellës-kanalizime, 37 ndërmarrje rezultojnë me humbje në vlerën totale prej 1.8 miliard lekë dhe 11 ndërmarrje rezultojnë me fitim në vlerën 0.9 miliard lekë. Ndërmarrjet Durrës, Vlorë, Tepelenë, Elbasan dhe Kavajë përbëjnë 1.2 miliard të vlerës totale të ndërmarrjeve që raportojnë humbje (1.8 miliard lekë) ose 67% të sektorit për vitin 2019.
N vitin 2019 rezultati financiar i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve u përkeqësua duke rezultuar me një humbje në vlerën 877 milion lekë. Ky rezultat financiar është përkeqësuar ndjeshëm duke konsideruar se në fund të vitit 2018 sektori rezultoi me një fitim në vlerën 542 milion lekë. Siç shihet nga viti në vit bilanci financiare i ndërmarrjeve të ujësjellësit vjen në përkeqësim duke u kthyer në barrë për buxhetin.
Marrë nga Monitor.al