Gjatë një interviste për Euronews Albania, Eugena Tomini, zëvendësministrja e Shëndetësisë foli për rikthimin e maturantëve nëpër klasa dhe situatën në lidhje me lehtësimin e masave. Tomini u shpreh se ky lirim i lehtë që favorizon vetëm maturën vjen si pasojë e trendit në rënie të Covid-19.
Një masë e tillë, ka ngritur pikëpyetje në lidhje me masat e tjera, përfshi këtu fashën orare. A do të zbuten masat kufizuese?
“Imunizimi apo vaksinimi i popullatës, pavarësisht se është grupmoshë e rritur, ka qenë një indikator tjetër i cili ka çuar në lehtësimin e masave kufizuese. Është shumë e rëndësishme të përvijojmë duke pasur një ndërgjegjësim të lartë, duke pasur shërbim spitalor, dhe tepër e rëndësishme kjo, përkundrejt popullatës në kohën e duhur por dhe evidentimin e rasteve në kohë. Prandaj masat merren në mënyrë të përshkallëzuar dhe qëndrojnë në masa lehtësuese në mënyrë të ngadalshme, jo në mënyrë të menjëhershme.”
E pyetur në lidhje me rikthimin e studentëve në auditorë, Tomini tha se për këtë grupmoshë është duke u bërë një vlerësim i vazhdueshëm dhe s’është marrë akoma një vendim.