Kjo është banesa e Talo Çelës në Katund të Ri, në ambientet e jashtme të së cilës ka shpërthyer gjatë natës një sasi eksplozivi. Banesa tre katëshe e ndodhur buzë rrugës së fshatit të Elbasanit ka pësuar dëme të mëdha materiale në pjesën e jashtme dhe xhamat janë bërë copë. Në këtë shtëpi nuk banon askush prej kohësh, gjë që të lë të mendosh se tritoli ka qenë një mesazh për të shumëkërkuarin Talo Çela, të cilit një muaj më parë i vranë të vëllanë. Ajo që mund t’i shpëtojë autorët nga identifikimi është fakti se në këtë zonë nuk ka kamera sigurie.
Kjo gjë e bën shumë të vështirë gjetjen e ndonjë pamje filmike që mund të zbardhë detajet mbi ‘selam-dërguesit’.
Kush është Talo Çela?
I rrezikshmi, 49 vjeç nga Elbasani, prej muajsh ka kthyer mbrapsht disa prej grupeve të RENEA-s, që kanë dështuar në kapjen e tij, pas disa operacioneve të mirëorganizuara. Talo Çela akuzohet për grabitjen e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, në bashkëpunim me grupin që u fut me mjetin e maskuar si “Hetimi Tatimor”.
Ai akuzohet se ndihmoi pikërisht në modifikimin e këtij furgoni, gjë për të cilën ka përfituar një pjesë të mirë të parave. Çela mban mbi shpinë edhe disa akuza të tjera. Ai është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Durrësit, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Besmir dhe Viktor, pikërisht pas një debate për paratë e Rinasit.
Çela akuzohet të ketë bashkëpunuar edhe në vrajsen e dy të rinjve të tjerë, po në Durrës, Anxhelo Avdiaj dhe Dorian Shkoza. Këtë krim, Çela dyshohet se e ka kryer në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, ish-mikun e tij me të cilin tashmë duket se ka hapur luftë. Talo Çela humbi të vëllanë, Bujarin, një muaj më parë. Bujar Çela, një taksist në të zezë u ekzekutua me armë zjarri teksa pinte kafenë e mëngjesit dhe priste për klientët e parë.
Për këtë ngjarje, si ekzekutor është shpallur në kërkim Dumani. Këtij të fundit, i çuan mesazh me tritol para pak ditësh, në banesën e kushëririt në Durrës, Skënder Hoxha.