Aktori dhe regjisori shqiptar Alfred Trebicka i ftuar në programin ‘Fitstation’ me Çenkuela Hasën në News24, erdhi në një rrëfim për artin, familjen dhe projektet e reja.
Një nga ngjarjet aktuale që ka ngritur debat në shoqëri është dhe përfshirja e artistëve në fushatë elektorale, i pyetur për praninë e Robert Ndrenikës, Tinka Kurtit në reklamat e Partisë Socialiste apo Nerital Liçaj në radhët e PD-së, Trembicka është përgjigjur se është një proces normal.
“Angazhimi i figurave të tilla në fushata elektorale nga aspekti politik është strategjik, në aspektin individual është shumë i natyrshëm dhe organik. Ajo që mua nuk do të më pëlqente në këtë rast është keq përdorimi i figurave të tilla nga politika. Artisti është qenie sociale, ka ndikim në një aspekt të gjerë politik. Ka disa teori që artisti duhet të jetë asnjanës, nuk duhet të përfshihet në politikë, nuk e di nga e kanë gjetur këtë teori pasi artisti nuk është ufo që ka ardhur këtu dhe është i distancuar me të gjithë dhe bën vetëm art. Për mua është shumë e natyrshme, shumë organike përfshirja e artistëve në politikë. Pastaj që ky apo kjo artiste është pozicionuar me këtë krah apo atë krah, ky pastaj është problemi jonë që do i gjejmë diçka çdo gjëje”- u shpreh Trebicka.
Kujtojmë se Alfred Trebicka ka qenë një nga artistët e pozicionuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, por ja çfarë mendon sot ai për ndërtimin e një teatri të ri.
” Unë jam pozicionuar fillimisht te ata që ishin për ta mbrojtur teatrin, historinë e tij etj. Por erdhi një moment realisht duke menduar pë fenomenin, për kushtet që kishte ai teatër dhe çfarë ofronte jam me idenë për të ndërtuar teatrin e ri. Dua ta qartësoj këtë moment pasi janë krijuar alibi të ndryshme, polarizimi i fenomeneve këtu te ne është si ushqim pa të cilin nuk jetojmë dot. Por kauza e teatrit përdor edhe sot në fushatë dhe kjo mua nuk më pëlqen”- tregoi aktori.