Autoriteti i Konkurrencës gjobiti tre kompani që operonin në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore.
Kompanitë e gjobitura ishin ndërmarrja “AGRO BLEND” SHPK përkatësisht në shumën 2 milionë lekë, “MBM” SHPK po me 2 milionë lekë dhe “ÇAÇA” SHPK në shumën 500 mijë lekë. Vendimi i autoritetit erdhi si rezultat i gjetjes së shkeljeve të bëra nga ndërmarrjet gjatë hetimit të këtij tregu.
Konkurrenca nënvizoi se nga vlerësimi i sjelljes së ndërmarrjeve të inspektuara rezultoi se: ndërmarrjet AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK dhe ÇAÇA SHPK kanë realizuar sjellje të koordinuar në kuptim të nenit 4, pika 1, të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, të ndryshuar, duke importuar plehrat kimike: Hidrogjenortofosfat diamoni (DAP), Nitrat dhe URE në fillim të vitit 2021, dhe duke hedhur këto produkte në treg me çmim të rritur nga muaji shkurt 2021 e në vijim.
“Kjo sjellje antikonkurruese në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003, ka vazhduar edhe pas marrjes në dijeni të VKK nr. 3 784, datë 12.03.2021, “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore” thuhet në vendim.
I njëjti, saktësohet nga inspektimet e realizuara në këto ndërmarrje, rezultoi se në faturat e blerjes dhe shitjes së këtyre ndërmarrjeve nuk përcaktohet produkti i tregtuar, në kundërshtim me ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, sjellje e cila e bën këtë treg në pjesën më të madhe të tij informal, duke cënuar konkurrencën e lirë dhe efektive në treg.
Masa e gjobitjes nga e Autoritetit të Konkurrencës vjen pas lënies për zbatim të disa masave të përkohshme që ishin rekomanduar më herët për të njëjtat kompani me një vendim të marsit të këtij viti.
Këto masa parashikonin ndër të tjera që “ndërmarrjet që operojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre duke u sjellë në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre tregtar sa i përket: importeve të produkteve; caktimit të çmimit të shitjes dhe/ose ndarjes së tregut përkatës; si dhe përdorimit të të drejtave ekskluzive.
Këto masa ishin në fuqi deri në përfundim të procedurës hetimore të ushtruar nga Konkurrenca dhe kompanitë ishin paralajmëruar se në rast të mosrespektimit të tyre do të gjobiteshin.
“Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme të cituara në pikën (I) të këtij vendimi, ndërmarrjet ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003.
Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrjet të veprojnë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003””, thuhet në vendimin e Konkurrencës.
Marrë nga Monitor.al