Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është përlotur në foltoren e Kuvendit.
Manastirliu tha se këtë vit të gjithëve iu është vrarë zemra nga dy fatkeqësi të mëdha, tërmeti dhe pandemia, ndërsa shtoi se ajo po e vuan situatën më shumë se të tjerët.
“Askush nga politikanët të mos guxojë të fyejë mjekët dhe të dalin e të bëjnë politikë me punën e tyre, sepse mjekët janë aseti ynë më i çmuar. Kush guxon të prekë mjekët do të përballet me të gjithë shqiptarët, të cilët vlerësojnë punën. Vetëm përmes punës ne do të arrijmë të bëjmë Shqipërinë që duam. Edhe pse kemi një vit që na është vrarë zemra, një vit në vështirësi me dy fatkeqësi të mëdha, ne do të përballemi. Kushdo mund ta vuajë nga ju, më besoni unë e vuaj shumë e më shumë, sepse kam një përgjegjësi, që është një nder për mua, që m’u besua e po më besohet të drejtoj sistemin shëndetësor shqiptar, por krenaria ime dhe inspirimi im janë punonjësit e shëndetësisë.
Janë ato stafe që nuk po reshtin së shërbyer 24/7. Patjetër që ka problematika, por kush ka thënë që jemi perfektë? Patjetër që ka shumë probleme, por nëse do të ishim 7 vite më parë, aty do të ishte katastrofa. Falënderoj ata deputetë të opozitës për atë që kanë bërë në këtë kohë, për t’u bashkuar, sepse kjo kohë për këtë ka nevojë. Patjetër që ka problematika, që ka vonesa me tamponët, sepse ka shumë fluks. Por ne po punojmë për të tejkaluar cdo sfidë. Kush mendon se është e lehtë, o nuk ka punuar ndonjëherë, ose thjesht e sheh nga jashtë si spektator”, tha Manastirliu.