TIRANË– Policia e Shtetit i ka shprehur ngushëllime familjes së 25-vjeçarit, Klodian Rashës i cili u qëllua me dy plumba për vdekje nga efektivi
Nëpërmjet një reagimi të bërë në rrjetin social Facebook, policia shkruan se kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes duke analizuar në mënyrë intensive.
Ndër të tjera në fund policia bën të ditur se garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari.
Njoftimi i policise:
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, të prekur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, e cila përfundoi me vrasjen tragjike të të riut Klodjan Rasha, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, të afërmve dhe qytetarëve të lënduar nga ky akt. Pas ngjarjes së ndodhur, krahas hetimeve të nisura nga organet e pavarura, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal. Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari.
25-vjeçari Klodian Rasha është përcjellë sot në orën 11:00 për në banesën e fundit Klodian Rasha, pasi u qëllua për vdekje dje nga efektivi i forcave “Shqiponja”. Polici u mor sërish në pyetje sot dhe sërish mbajti të njëjtin version, duke pretenduar se kishte menduar që i riu i kishte drejtuar armën dhe prandaj e kishte qëlluar. Lidhur me vrasjen ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi, duke bërë thirrje vetëm për zbardhjen e rastit. Ndërkohë që sot për të janë organizuar dy protesta, një nga të rinjtë e FRPD-së dhe një nga qytetarët. Ndërkohë që ngjarja ka bërë bujë, ende asnjë reagim as nga maxhoranca dhe as nga presidenti Ilir Meta.