Tiranë- Në 24 orët e fundit policia e Tiranës ka gjobitur 573 qytetarë për mosmbajtje të maskës.
Gjithaashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10. 000 lekë 3 qytetarë pasi lëvizën jashtë fashës së orarit të lejuar, pas orës 22:00.
Njoftimi i policisë
Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për zbatimin e masave anticovid. Ndëshkohen me masë administrative 3.000 lekë, 573 qytetarë që u konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, ndëshkohen me masë administrative 10.000 lekë, 3 qytetarë që u konstatuan duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 573 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.Gjithashtu, gjatë kontrolleve, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 3 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili. Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.