Vaksinimi dhe rimëkëmbja ekonomike do të jenë çështjet kryesore në axhendën e Portugalisë si kryesuese e Këshillit të BE-së. Gjatë gjashtëmujorit synohen gjithashtu marrëdhënie më të mira me Afrikën, hartimin e një politike të përbashkët migrimi dhe zhbllokimin e procesit të zgjerimit.
Portugalia mori më 1 janar nga Gjermania presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Europian. Nën flamurin “Koha për të dhënë: një ringritje të drejtë, të gjelbër dhe dixhitale”, gjatë presidencës së saj Portugalia synon të përqendrohet në zbatimin e qëllimeve të paketës së ndihmës shumë miliardë euroshe të Bashkimit Evropian.
“Është një nder dhe një përgjegjësi e madhe të marrësh drejtimin nga Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel”, shkroi në Twitter kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa.
Kjo është hera e katërt që vendi merr presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian. Disa sfida të vështira priten këtë herë, përfshirë adresimin e pasojave të pandemisë.
Fushata e vaksinimit në të gjithë Europën dhe zbatimi i paketës së ndihmës së BE-së me qëllimet e saj ambicioze, janë përparësitë kryesore si dhe çdo çështje e shkaktuar nga fundi i periudhës së tranzicionit pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, megjithëse Brukseli dhe Londra ranë dakord për një marrëveshje tregtare pas Brexit.
Portugalia do të trajtojë gjithashtu propozimin e Komisionit Europian për një politikë të përbashkët migrimi.
“Një fokus i mëtejshëm do të jetë forcimi i marrëdhënies së bllokut me Afrikën”, sipas zyrtarëve portugezë.
Pritet të shihet qëndrimi që Portugalia do të mbajë ndaj çështjes së zgjerimit, pasi presidenca gjermane nuk përparoi. Si asnjëherë qëparë, gjatë kryesimit gjerman nuk u hap asnjë kapitull për vendet kandidate, Serbinë apo Malin e Zi, rruga e integrimit të Maqedonisë Veriore u bllokua me veto ndërsa nuk u thirr as konferenca e parë ndërqeveritare e negociatave me Shqipërinë. Asnjë hap edhe për liberalizimin e vizave ne Kosovën.
Pas Portugalisë, kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian do ta marrë Sllovenia.