Projekti për zhvillimin e turizmit dhe integrimin urban, i mbështetur nga Banka Botërore, ka arritur në një etapë ku shumica e komponentëve po shkojnë drejt finalizimit të plotë.
Në vlerësimin e fundit të ecurisë së projektit që në katër komponentë ka një kosto 105 milionë USD thuhet se aktive punimet mbeten në Bënjë dhe Zvërnec ndërkohë që për disa zona të tjera turistike si Borshi, Kanina dhe Spilleja po prokurohen konsulencat e projektimit.
“Komponenti 1. Punimet civile të rrugës me kalldrëm për këmbësorët të Kalasë së Beratit, Rruga e hyrjes së automjeteve në Kalanë e Beratit, Shëtitorja e Sarandës, Shkallët e Sarandës, ndriçimi i rrugësve në Përmet dhe kalldrëmet në Pazarin e Gjirokastër kanë përfunduar; punimet civile për përmirësimin e integruar urban të Beratit, Përmetit, Sistemit të Muzeumeve në Gjirokastër dhe rehabilitimi i Kalasë së Gjirokastrës po zbatohen; konsulenca projektuese për përmirësimin e integruar urban të Sarandës dhe Gjirokastrës po zbatohen.
Komponenti 2. Kanë filluar punimet për përmirësimin e zonave turistike të Benjës dhe Zvërnecit. Konsulenca projektimi për pikat panoramike dhe Kalasë së Gjirokastrës po zbatohen. Konsulenca e projektimit për zonat turistike të Borshit, Kaninës dhe Spillesë) janë duke u prokuruar.
Komponenti 3. Konsulenca për Strategjinë e Kërkimit dhe Zhvillimit të Tregut ka përfunduar. Shërbimet e konsulencës për Zhvillimin e Tregut, hartimi i Sistemit të Statistikave të Turizmit dhe Paketa së parë të Zhvillimit të Produkteve Turistike janë në zbatim. Konsulenca për paketën 2 të zhvillimit të produkteve turistike dhe Task Forcën e Reagimit dhe Rimëkëmbjes së Turizmit dhe Partneritetit të Menaxhimit të Destinacionit janë duke u prokuruar” thuhet në raportin e BB.
Projekti për turizmin u bë efektiv në 30 prill 2017 ndërkohë që mbyllja e tij në datën fillestare ishte parashikuar 31 korrik 2022 por që tashmë është zëvendësuar me 31 korrik 2025. Projekti në rishikim u vendos që të mbështetej financiarisht me një vlerë shtesë prej 34 milionë USD që ende nuk është bërë efektive ndërkohë që 71 milionë USD i përkasin projektit të parë.
Marrë nga Monitor.al