Dënimet që një individ mund të marrë për shkak të shkeljes së ligjit janë të formave të ndryshme dhe legjislacioni shqiptar parashikon edhe dënimet alternative ku bën pjesë puna me interes publik. Vjetari i vitit 2020 publikuar nga Ministria e Drejtësisë tregon se vitin e shkuar të paktën 888 persona patën një dënim të kësaj forme. “Numri i të dënuarve me “Punë në interes publik” të dhënë nga gjykata në të gjithë vendin për vitin 2020, është 888. Në aplikimin e këtij dënimi të dhënë nga gjykata, ka ndikuar edhe nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit të Shërbimit të Provës me njësi të qeverisjes vendore (qarqe, bashki, komuna) në mbarë vendin” thuhet në dokument.
Çfarë është puna me interes publik
Referuar kuadrit ligjor një personi mund t’i pezullohet nga gjykata dënimi me burg(kur ky është deri në një vit), për shkak të rrezikshmërisë së pakët të tij dhe të rrethanave të kryerjes së veprës penale. Dënimi zëvendësohet me detyrimin që i dënuari të përmbushë një punë në interes publik.
“Puna me interes publik nënkupton kryerjen nga i dënuari të një pune, me pëlqimin e tij dhe pa shpërblim, në favor të interesit publik apo shoqatës së caktuar në vendimin e gjykatës, për një kohë nga dyzet deri në dyqind e dyzet orë. Ky detyrim nuk mund të vendoset kur i dënuari refuzon pezullimin në seancë gjyqësore. Puna në interes publik kryhet brenda afatit prej gjashtë muajsh.
Në vendimin e saj gjykata përcakton numrin e orëve të punës dhe detyrimin që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës. Shërbimi i provës vendos llojin e punës që do të kryhet, përcakton vendin e kryerjes së punës dhe ditët e javës kur do të kryhet ajo, duke pasur parasysh, për aq sa është e mundur, punësimin e rregullt të të dënuarit apo detyrimet e tij familjare. Kohëzgjatja e punës me interes publik nuk i kalon tetë orë në ditë. Pas përfundimit të punës, dënimi konsiderohet i paqenë” thuhet në komentarin e Magjistraturës i aksesueshëm online.
Nëse i dënuari nuk kryen punën me interes publik, nuk mban kontakte me shërbimin e provës apo shkel kushtet ose detyrimet e tjera, të vendosura nga gjykata, prokurori informon menjëherë gjykatën. Gjykata, në këtë rast, vendos sipas nenit 62 të këtij Kodi që është dënimi me burg.
Marrë nga Monitor.al