Qeveria shpalli programin e shpenzimeve deri në vitin 2024, ku menaxhimi i mbetjeve do të jetë ndër zërat kryesorë të investimeve me një vlerë totale prej 10.7 miliardë lekësh, ose 87 milionë euro, nga të cilat 26% do të shkojnë për financimin e dy inceneratorëve, atë të Tiranës dhe Fierit.
Nga vlera totale e menaxhimit të mbetjeve, 2.4 miliardë lekë ose 22 milionë euro shkojnë për financimin pjesor të inceneratorëve, pasi financimet për këto objekte kanë nisur vite më parë. Në programin katërvjeçar, 2021-2021 inceneratori i Tiranës do të marrë financime direkte nga buxheti i shtetit 1,4 miliardë lekë ose 11,6 milionë euro, ndërsa inceneratori i Fierit do të financohet me 1,4 miliardë lekë ose më shumë se 11 milionë euro.
Vetëm në 4-mujorin e parë të vitit aktual qeveria financoi menaxhimin e mbetjeve urbane me 1,5 miliardë lekë ose rreth 12 milionë euro, teksa shumica e fondeve shkuan për ndërtimin e inceneratorëve (impiante të përpunimit të mbetjeve që po ndërtohen me kontrata PPP dhe menaxhohen nga privatet).
Edhe 32 milionë euro për plehrat e Durrësit
Qyteti më i madh turistik në vend, Durrësi dhe zonat rreth tij u përmbytën për disa ditë nga mbeturinat në kulmin e sezonit turistik, duke e thyer keq imazhin e turizmit në vend. Problemet nisën pasi vend-grumbullimi i mbetjeve në Porto Romano u mbyll me Vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 06, datë 13.01.2020 “Për miratimin e lejes së infrastrukturës: “Mbyllja e vend-depozitimit të mbetjeve të ngurta dhe ndërtimi i ECO-PARK me vendndodhje në Bashkinë Durrës”, dhe Bashkia Durrës u la pa vend-depozitimin kryesor.
Zbatimi i vendimit nisi në fund të vitit të kaluar dhe që atëherë Durrësi përjetoi disa episode ku për ditë me radhë plehrat nuk u tërhoqën. Bashkia Durrës, sipas burimeve të saj, gjeneron mesatarisht 75 500 ton mbetje në vit.
Në fillim të korrikut, Këshilli i Qarkut të Durrësit i përcolli Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve nga AKUMI (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve) studimin për “Analizimin e opsioneve për menaxhimin e mbetjeve në Qarkun Durrës” me alternativat për zgjidhje të problematikës së mbetjeve”, ju jepte tre alternativa, një prej të cilave ishte dërgimi total i mbetjeve në inceneratorin e Tiranës. Për shkak të pamundësisë së Bashkisë për të paguar faturën me fondet e veta, kërkohej mbështetja e buxhetit të shtetit.
Së fundmi, qeveria miratoi vendimin për mbështetjen Bashkisë së Durrësit për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark për periudhën gusht-dhjetor 2021 deri në 2030. Rreth 3,8 mld lekë (32 mln euro) do të jetë mbështetja financiare që qeveria do t’i japë Bashkisë së Durrësit për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark për periudhën gusht-dhjetor 2021 deri në 2030.
Duhen shumë plehra për inceneratorët
Një studim i mëparshmen i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit vuri në dukje, se kapacitetet për inceneratorët në vend shkojnë përtej mundësive që ka Shqipëria për t’i mbajtur në gjendje pune por edhe për të respektuar kërkesat që janë vendosur nga Bashkimi Europian për riciklimin dhe rikuperimin.
Të paktën tre projekte inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe Tiranë që nëse do të ndërtohen me kapacitetet e parashikuara mund të rezultojnë të dështuar. Përllogaritet se kapaciteti i të tre inceneratorëve së bashku është sa 44% e totalit të mbetjeve që gjenerohen në të gjithë vendin.
“Duke llogaritur mbetjet që gjenerohen në zonat e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës dhe potencialin e sasisë së mbetjeve të djegshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke llogaritur se të paktën 60% e mbetjeve te riciklueshme ose vetëm 12 % e totalit do të grumbullohen të veçuara për riciklim, potenciali i djegshëm për këto tre zona vlerësohet rreth 123 mijë ton/vit ose sa 26 % e kapacitetit të projektuar të incineratorëve.
Pra, kapaciteti i paplotësuar i incineratorëve llogaritet në rreth 74%. Kjo do të thotë së funksionimi me kapacitet të plotë i këtyre impianteve do të kërkojë furnizimin me mbetje nga i gjithë vendi. Nëse do të ndodhë kështu, do të vërë në dyshim realizimin e objektivave të detyrueshme të BE për riciklimin që në vitin 2033 duhet të arrijë objektivin prej 65% nga mbetjet bashkiake dhe 75% nga mbetjet nga paketimi” thuhet në dokumentin e ministrisë.
Marrë nga Monitor.al