Kryeministri Edi Rama është besimplotë se në muajt e parë të vitit të ardhshëm vendi jonë do të nisë vaksinimin anti-Covid.
Duke folur me ekipin e mjekëve dhe infermierëve te Infektivi, ai tha se nisur instalimi i strukturës së vaksinimit te stadiumi “Air Albania” që do të jetë gati javën e parë të janarit të 2021.
Rama shtoi se grupet e para që do të vaksinohen do të jenë mjekët, mësuesit dhe efektivët e policisë.
Rama: Jam shumë i kujdesshëm në fjalët por jemi shumë afër përmbylljes së një marrëveshjeje me disa komponentë për vaksinën. Besoj që në fillim të vitit do të kemi dhe dozat e para që sigurisht janë për ju. Do të hidhet me short, do ta bëjë përpara Najada apo ti Tan.
Tritan Kalo: Unë përgjithësisht i hap rrugën kësaj.
Rama: Ju do të vaksinoheni shumë shpejt, çështje javësh besoj dhe pastaj do ta përshkallëzojmë. Është shumë situatë e vështirë për faktin se edhe shtetet e mëdha dozat që po marrin janë shumë më pak nga çfarë kishin parashikuar sepse baza prodhuese e SHBA, presidenti ka vendosur ndalimin e eksportit të çdo doze. Pjesa tjetër jashtë SHBA ka më pak doza dhe për fillimin është problem. Kam folur me disa kryeministra këto ditë dhe ata akoma nuk po i thonë publikisht shifrat sepse janë shumë më pak sesa çfarë kishin premtuar dhe ata jo sepse nuk kishin informacion por informacioni që kishin ka ndryshuar për shkak të dinamikës. Jemi në komunikim me disa nga shtetet sepse tani marrëveshjet bëhen shtet më shtet. Pavarësisht marrëveshjes me kompanitë, me Phizer, jemi shumë më afër dhe me AstraZeneca që besoj se do të aprovohet brenda këtij viti.
Dhe me Modernën jemi në diskutim por ka një sasi shumë më të vogël jashtë SHBA. Dhe pastaj duhet të merret vesh shteti me shtete të tjera. U fol këtu për Maqedoninë e Veriut por ato janë 100 doza që Bullgaria ka deklaruar që do të japë për të, njësoj si për ne. Nuk e kemi deklaruar këtë gjë sepse e para është një shprehje dashamirësie por nuk është e fakt dhe së dyti nuk kemi dashur të bëjmë fjalë por jemi shumë afër dhe kemi shumë besim që për ekipin e spitaleve Covid që do të jenë të parët, që do të vaksinohen, do të jetë shumë shpejt.
Me Ministren kemi filluar të adaptojmë një projekt te stadiumi Air Albania për të vendosur të gjithë ekipet që do të bëjnë vaksinimin pasi me çfarë kemi dëgjuar dhe çfarë na kanë sugjeruar, në mjedis të hapur është shumë më mirë për të pasur dhe radha të kontrolluara. Mjedis i hapur por prapë dhe i mbyllur. Aty po bëjmë një projekt shumë të bukur që do të jetë gati në javën e parë të janarit dhe do të fillojmë me vaksinimin. Shumë shpejt do t’ju imunizojmë juve njëherë që të mos kemi asnjë shqetësim për shëndetin tuaj dhe pastaj do të vazhdojmë me gjithë mjekët, mësuesit, punonjësit e policisë që janë më në kontakt me njerëzit dhe pastaj do të përshkallëzohet me të tjerët.Ndërkohë të gjithë thonë që në mars dhe prill dozat do të jenë shumë dhe pastaj jam i bindur që do të ketë teprica sepse prodhimi është futur shumë fort në linjë.