Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria do ta fitojë betejën me armikun e padukshëm siç e konsideron betejën kundër koronavirusit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama premton se do të rindërtojë të gjitha shtëpitë, apartamentet dhe qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti.
Kryeministri Rama në facebook:
Ne do ta bëjmë me të gjitha forcat luftën me Armikun e Padukshëm dhe fronti ynë i mbrojtjes në spitalet Covid do të jetë deri në fund, një shembëlltyrë e vendosmërisë, kurajos, profesionalizmit, pa asgjë mangut krahasuar me kushtet spitalore, kurat farmaceutike, shërbimin mjekësor në spitalet Covid të Europës!
Ne do t’i rindërtojmë një për një shtëpitë, apartamentet, shkollat, kopshtet, spitalet e qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti, në kohë rekord krahasuar me ecurinë e një procesi të tillë në vendet që janë përballur me këtë sfidë!
Dhe Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t’i përballojë e t’i fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse, sepse ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka!