Rreth 1 në 3 shqiptarë vuan nga pasiguria për ushqim për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera. Të dhënat e fundit në raportin “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerit në Botë në 2022” publikuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi në Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mesatarja në vitet 2019-2021 e përqindjes së popullsisë që bien në treguesin e emërtuar si “prevalenca e pasigurisë ushqimore” është 30.9 për qind. Kjo mesatare është ulur në raport me vitet 2014-2016 kur përqindja ishte 38.8 për qind.
Nëse këtë përqindje e ndajmë dhe marrim vetëm pjesën e atyre që kanë pasiguri ushqimore të rënduar treguesi që regjistron Shqipëria është 7.7 për qind për tre vitet e fundit. Ky tregues ka shënuar gjithashtu përmirësim në raport me anketën paraardhëse kur rezultati ishte 10 për qind e popullatës. Në rajonin e Europës Jugore ku llogariten një sërë shtetesh, vendi ynë është ai që ka nivelin më të lartë të popullatës që kanë pasiguri ushqimore të lehtë apo më të ashpër. Maqedonia e Veriut llogarit 20.9 për qind të popullatës në vitet 2019-2021 ndërkohë që Serbia 14.1 për qind. Pas tyre vjen Mali i Zi me 14 për qind, Bosnjë-Hercegovina me 12.6 për qind dhe Kroacia me 11.4 për qind. Europa Perëndimore e ka këtë tregues vetëm 4.4 për qind.
Treguesi i prevalencës së pasigurisë ushqimore të moderuar ose të ashpër. Raporti shpjegon se çfarë është në fakt ky tregues dhe si llogaritet. “Prevalenca e pasigurisë ushqimore e matur nga shkalla e eksperiencës së pasigurisë ushqimore Përcaktimi: Pasiguria ushqimore e matur nga ky tregues limitohet nga aksesi në ushqim e individëve apo familjarëve për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera. Ashpërsia e pasigurisë së ushqimit matet nga të dhënat që mblidhen nga moduli i anketës Shkalla e Eksperiencës së Pasigurisë së Ushqimit(FIES-SM) një set me tetë pyetje që i pyet të intervistuarit të raportojnë kushtet dhe eksperiencën e tyre lidhur me aksesin e kufizuar në ushqim. Për qëllime të ,monitorimit vjetor të SDF pyetjet bëhen në referencë të 12 muajve para anketës. Duke përdorur teknika statistikore të sofistikuara që bazohen në modelin e matjes RASCH informacioni i marrë në anketë përpunohet dhe konvertohet në sasior” shpjegohet në raport.
Marrë nga Monitor.al